Connect with us

Religjion

Jeto si të duash, por mos harro se një ditë do të largohesh

Publikuar

më

Të nderuar vëllezër e motra!

Njeriu shpesh sillet sikur jeta do të zgjasë përgjithmonë. Ndonjëherë i lëndon të tjerët pa u menduar, bën padrejtësi sikur nuk do të japë llogari dhe i harron fjalët që ka thënë, plagët që ka shkaktuar dhe besimin që ka tradhtuar.

Por besimtari duhet ta dijë se jeta nuk është vetëm një mundësi për të vepruar, por edhe një përgjegjësi për të cilën do të japim llogari para Allahut.

Pejgamberi Muhammed a.s. na ka mësuar një të vërtetë të madhe përmes një këshille që Xhibrili a.s. ia dha atij.

Pejgamberi a.s. ka përcjellë se Xhibrili a.s. i ka thënë:

«O Muhammed, jeto sa të duash, por dije se një ditë do të vdesësh! Duaje kë të duash, por dije se një ditë do të ndahesh prej tij! Dhe vepro çfarë të duash, sepse një ditë do të përballesh me veprat e tua!»

Kjo këshillë përmendet në transmetime me vlerësime të ndryshme për zinxhirin e transmetimit; disa dijetarë e kanë konsideruar të dobët, ndërsa të tjerë e kanë përforcuar përmes transmetimeve mbështetëse. Prandaj, le ta marrim si një këshillë të urtë që na kujton tri të vërteta të mëdha:

E vërteta e parë: Jeto sa të duash, por një ditë do të vdesësh.

Vëllezër të dashur, pavarësisht sa gjatë jetojmë, sa pasuri grumbullojmë dhe sa plane bëjmë, vdekja mbetet e pashmangshme. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” (Ali Imran, 3:185)

Prandaj, pyetja nuk është vetëm sa gjatë do të jetojmë, por çfarë do të lëmë pas vetes. A do të na kujtojnë njerëzit për mirësinë tonë, për drejtësinë dhe fjalët e mira, apo për padrejtësitë që u kemi bërë?

E vërteta e dytë: Duaje kë të duash, por një ditë do të ndahesh prej tij.

Sa njerëz që i kemi dashur janë larguar nga kjo botë! Sa miq, prindër dhe të afërm i kemi përcjellë për në banesën e fundit! Një ditë do të vijë radha edhe për ne.

Prandaj, mos e shty pajtimin me dikë që e ke lënduar. Mos e lër për nesër kërkimin e faljes. Mos e shndërro krenarinë në pengesë për ta ndrequr një marrëdhënie. Thuaje fjalën e mirë sa je në kohë dhe bëje të mirën sa e ke mundësinë.

E vërteta e tretë: Vepro çfarë të duash, por një ditë do të përballesh me veprat e tua.

Njeriu mund të fshehë të vërtetën nga njerëzit, por nuk mund ta fshehë nga Allahu. Mund ta lëndojë dikë dhe të vazhdojë jetën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Mund t’ia cenojë dikujt nderin, t’ia shkelë të drejtën, ta tradhtojë besimin ose të përhapë për të fjalë të pavërteta.

Por besimtari e di se çdo fjalë dhe çdo vepër ka peshën e vet para Allahut.

Pejgamberi a.s. na ka paralajmëruar për rrezikun e padrejtësisë dhe për pasojat e saj në Ditën e Gjykimit. Në hadithin e vërtetë për njeriun e falimentuar, ai shpjegon se dikush mund të vijë me namaz, agjërim dhe zekat, por të ketë fyer, shpifur, cenuar pasurinë ose derdhur gjakun e të tjerëve. Atëherë, të mirat e tij do t’u jepen atyre që u ka bërë padrejtësi; e nëse i mbarojnë të mirat, mbi të do të ngarkohen mëkatet e tyre. (Muslimi)

Prandaj, vëllezër e motra të nderuara, nuk mjafton vetëm të pyesim veten se sa jemi falur, sa kemi agjëruar dhe sa Kur’an kemi lexuar. Duhet të pyesim edhe: A i kemi ruajtur gjuhët tona? A kemi qenë të drejtë me familjen? A i kemi respektuar të drejtat e fqinjëve? A kemi qenë të ndershëm në tregti dhe të sinqertë në marrëdhëniet tona?

Sepse devotshmëria nuk dëshmohet vetëm në sexhde, por edhe në mënyrën se si sillemi me njerëzit kur ndërveprojmë apo kur kemi punë me ta.

Nuk duhet të presim që çdo padrejtësi të na kthehet patjetër në këtë botë, sepse Allahu është i Drejtë dhe gjykimi i Tij nuk kufizohet vetëm në jetën e kësaj bote. Por duhet të kemi frikë nga dita kur do të dalim para Tij dhe do të japim llogari për atë që kemi bërë.

Prandaj, nëse kemi gabuar, të pendohemi. Nëse kemi lënduar dikë, të kërkojmë falje. Nëse kemi marrë diçka që nuk na takon, ta kthejmë. Nëse kemi përhapur fjalë të pavërteta, ta ndreqim padrejtësinë që kemi bërë.

Le të mos harrojmë: jeta është e shkurtër, ndarja është e pashmangshme dhe takimi me veprat tona është një e vërtetë prej së cilës nuk mund të ikim.

O Allah, na i fal mëkatet tona, na ruaj nga padrejtësia ndaj të tjerëve, na pastro zemrat nga urrejtja dhe zilia dhe na bëj prej atyre që u sjellin njerëzve mirësi e jo dhimbje.

O Allah, na mundëso të takohemi me Ty me zemra të pastra, me vepra të mira dhe pa borxhe ndaj robërve të Tu.

Falënderimi i takon Zotit të botëve!

Hfz. Mehas Alija

NA NDIQ NË FACEBOOK