Connect with us

Religjion

Jeta e muslimanit është mision

Publikuar

më

Armiqtë e pejgamberëve të mëparshëm, Allahu i Lartësuar i ka ndëshkuar dhe shkatërruar. Kjo u ndodhi popullit të Nuhut, Adit, Themudit, popullit të Lutit, Faraonit, Hamanit, Karunit dhe shumë të tjerëve. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” (El-Ankebut, 40).

Allahu i Madhërishëm e ka veçuar umetin e Muhamedit (savs) dhe nuk i ka bërë mrekullitë qiellore bazë për vërtetimin e së Vërtetës, as mjet për përkrahjen e thirrjes drejt së Vërtetës. Sikur të kishte dashur, Allahu do të mund t’i ndalte armiqtë e Pejgamberit (savs) dhe armiqtë tanë; do të mund ta rrëzonte qiellin mbi ta ose t’i fuste në tokë, duke e kursyer kështu Pejgamberin (savs) dhe besimtarët nga lufta. Por Allahu i Madhërishëm ka dashur që ky umet, i cili bart amanetin e Shpalljes së fundit, të ecë mbi Tokë sipas ligjësive të zakonshme të saj; të përpiqet e të vuajë, të durojë e të përballojë vështirësi, të heqë dorë nga gjërat e dashura dhe të sakrifikojë, të shpërngulet e të luftojë, të ngadhënjejë e të përjetojë humbje, dhe që në radhët e tij të ketë dëshmitarë të së Vërtetës – shehidë.

Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar që kjo botë të mbështetet mbi të kundërtat: që e mira të jetë e përzier me të keqen, ëmbëlsia me dhimbjen; që brenda njeriut të përplasen dhe të mbizotërojnë prirje të ndryshme; që ai herë të jetë i shëndetshëm e herë i sëmurë; që drita dhe errësira, nata dhe dita, të ndërrohen njëra me tjetrën. Në botën shpirtërore ekzistojnë melekët dhe shejtanët, ndërsa mes njerëzve ka të mirë dhe të këqij. Njeriu e përjeton si frymëzimin e melekëve, ashtu edhe pëshpëritjet e shejtanit. Allahu i vë besimtarët në sprova. Ai, i Lartësuari, u jep armë dhe ndihmës si besimtarëve, ashtu edhe jobesimtarëve, në mënyrë që të bëhet e qartë se kush e ndjek fjalën e Tij dhe Pejgamberin e Tij, e kush e ndjek shejtanin dhe ithtarët e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.” (El-Furkan, 20);

“Sikur të donte Allahu, do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju sprovojë juve me njëri-tjetrin.”  (Muhamed, 4).

Muslimani ka mision. Detyra dhe synimi i tij është ta promovojë të vërtetën dhe drejtësinë, ta përhapë të mirën dhe udhëzimin, që mirësia të jetë e pranishme gjithandej dhe fjala e Allahut të jetë e lartësuar.

Fjala e Allahut është dhënë që të jetë arma jonë në luftën kundër dobësive të brendshme, kundër devijimit të mendjes, moralit të shtrembëruar, shtypjes shoqërore, pushtetit arrogant dhe padrejtësive që njerëzit dhe popujt ia bëjnë njëri-tjetrit.

Fjala e Allahut është forcë për të dobëtit. Ajo u thërret atyre: Gjeni forcë brenda vetes, mos u ligështoni, mos hiqni dorë nga lufta! A kishte ndonjë gjasë që muslimanët të ngadhënjenin në Bedër? A mund të pritej që vetëm tetë vjet pas Hixhretit, Meka të çlirohej? Përpjekja dhe lufta, sakrifica dhe dëshira për sukses, shpërblehen. Gjej forcë brenda vetes, o vëllai im besimtar, mos e prano humbjen dhe mos u dorëzo para mungesës së rrugëdaljes. Cili prej nesh nuk është përballur me vështirësi e pengesa? Por, nëse je këmbëngulës dhe e di se çfarë dëshiron, do të kesh sukses.

Fjala e Allahut u drejtohet edhe të poshtëruarve, duke u thënë: Ngrini kokat lart! A nuk ju kujtohet se Bilali, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte i lidhur mbi rërën përvëluese dhe i rënduar me një gur, por megjithatë mbeti krenar? Besimtarët kanë kaluar sprova të ndryshme e të rënda; po i kalojnë edhe sot dhe sprova të tjera i presin në të ardhmen. Por gjithmonë duhet ta kemi parasysh se asnjë gjemb nuk e shpon besimtarin në rrugën e këmbënguljes në të mirë, pa pasuar shpërblimi për të.

Allahu i Madhërishëm ia ka lënë në obligim këtij umeti të Muhamedit (savs) që të luftojë vetë, që sukseset t’i arrijë vetë, me përpjekje dhe sakrificë, dhe të ecë drejt fitoreve. Allahu mund t’i shkatërrojë armiqtë tanë, t’i largojë pengesat dhe të heqë nga rruga nëpër të cilën duhet të ecim çdo gjë që na ngadalëson, por Ai dëshiron të shohë se cili prej nesh është luftëtar e cili nuk është. Dëshiron të shohë se kush përpiqet dhe kush pret që zgjidhjen t’ia ofrojë dikush tjetër. Allahu i Lartësuar dëshiron t’i ndajë punëtorët e zellshëm nga përtacët.

Pejgamberi (savs) është shembull për të gjithë. Ai e qepte vetë rrobën e tij dhe i riparonte këpucët. Nuk mbështetej te të tjerët dhe të njëjtën gjë e pret edhe prej nesh.

Ajo që ai, (savs), na solli nga Allahu i Madhërishëm, u drejtohet të përgjumurve me thirrjen: Zgjohuni! Mos ëndërroni për një të nesërme më të mirë pa përpjekje dhe luftë. Mos ëndërroni për mirëqenie pa heqje dorë nga të mirat personale dhe pa sakrificë. Mos ëndërroni, o të rinj, për një të ardhme më të mirë pa arsimim cilësor dhe pa përvetësimin e normave morale. Mos ëndërroni për mrekulli, sepse ajo nuk do të ndodhë.

Allahu i Madhërishëm këtij umeti ia ka përcaktuar dhe ia ka vënë për obligim që vetë, me jetën e tyre, ta dëshmojnë vërtetësinë e Shpalljes. Armiqve tanë nuk do t’u vijë ndonjë erë e fuqishme, as ndonjë britmë shurdhuese; askush nuk do t’i përmbysë, duke e bërë atë që është sipër të shndërrohet në rrënojë. Në jetën reale, gjërat funksionojnë kështu: vetëm të fortët respektohen dhe janë të sigurt. Poeti i madh, Muhamed Ikbali, thotë: “Dobësia nuk ngjall admirim, ndërsa forca zgjon respekt.”

Fjala e Allahut na është dhënë si forcë me të cilën duhet ta fuqizojmë veten dhe, në këtë mënyrë, ta pamundësojmë armikun që të na rrezikojë.

Ajo Fjalë e shpallur u thotë mendjemëdhenjve: Zbritni nga froni i mendjemadhësisë! Koprracëve u thotë: Jepni nga pasuria e Allahut, jo nga pasuria juaj! Ndërsa partive dhe veprimtarëve politikë u drejtohet me fjalët: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt.” (En-Nisa, 58).

Atyre që mburren me prejardhjen e tyre u thotë: “Atë që e ngadalësojnë veprat e tij, nuk do ta përshpejtojë prejardhja e tij.” (Muslimi).

Ndërsa porosia për të gjithë njerëzit është: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat, 13).

O Allahu i Madhërishëm! Na bëj të vetëdijshëm për fuqinë e Fjalës Sate dhe na ndihmo që ta përfshijmë atë në jetën tonë dhe në përditshmërinë tonë! Amin!

Top of Form

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK