Religjion
Fikhu i prioriteteve në jetën e muslimanit

Nga fetvatë e dijetarit të madh Dr. Jusuf el-Kardavi :
PYETJE: Cilat janë çështjet për të cilat duhet të kujdesemi në jetën tonë si muslimanë, dhe në jetën e njerëzve si predikues të Allahut, pasi që çështjet e Islamit janë shumë, dhe ne nuk dimë se për cilat duhet të kujdesemi dhe t’u japim rëndësi para të tjerave?
PËRGJIGJJA:
Me emrin e Allahut, falënderimi qoftë për Allahun, bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut. Pastaj:
Kur’ani Fisnik është kushtetuta e muslimanëve, e cila ua ndriçon atyre rrugën, dhe është e detyrueshme që muslimani të kujdeset për atë që u kujdes Kurani, siç janë bazat e besimit, morali fisnik, sjelljet e mira dhe bazat e tjera të adhurimit dhe transaksioneve.
Shejhu i nderuar dr. Jusuf el-Kardavi, Allahu e ruajë, thotë:
Prej kritereve të cilat duhet të shqyrtohen me rastin e shpjegimit të çështjeve që janë më prioritare dhe më të merituara që të kujdesemi dhe tu japim rëndësi para të tjerave, është:
– Kujdesi për një çështje, ashtu siç është kujdesur për të edhe Kurani Fisnik. Ato çështje, të cilave Kurani u ka kushtuar kujdes të madh, të cilat i ka përsëritur në suret dhe ajetet e tij, të cilat i ka potencuar në urdhrat dhe ndalesat e tij, në premtimet dhe kërcënimet e tij, po ato çështje, duhet të kenë përparësi, prioritet dhe kujdes edhe në mendimin tonë, në sjelljen tonë dhe në vlerësimin tonë. Këto çështje, që meritojnë këtë kujdes janë:
– Besimi në Allahun e Plotfuqishëm, besimi në Shpalljet e Tij tek të dërguarit e Tij, besimi në Botën tjetër dhe çështjet që lidhen me të, si shpërblimi dhe ndëshkimi, xheneti dhe xhehenemi.
– Bazat ibadeteve dhe ritualeve si: falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi, haxhillëku, dhikri – përmendja e Allahut të Madhërishëm, lavdërimi i Tij, falënderimi i Tij, kërkimi i faljes nga Ai, pendimi tek Ai, mbështetja në Të, shpresa në mëshirën e Tij, frika nga dënimi i Tij, falënderimi për begatitë e Tij, durimi për sprovat e Tij, e të tjera prej ibadeteve të fshehura të zemrës deri tek pozitat e larta hyjnore .
– Bazat e virtyteve dhe moralit, cilësitë e bukura si; sinqeriteti dhe ndershmëria, qëllimi dhe dëlirësia, turpi dhe përulësia, sakrifica dhe bujaria, turpi ndaj besimtarëve dhe krenaria ndaj jobesimtarëve, mëshira ndaj të dobëtëve, mirësia ndaj prindërve, lidhja familjare, nderimi i fqinjit, kujdesi ndaj të varfrit, ndaj jetimit dhe ndaj udhëtarit.
Ndërkaq, për çështjet që Kurani është kujdesur më pak, edhe ne atyre çështjeve duhet tu kushtojmë vëmendje të tillë dhe mos ta teprojmë. Si shembull për këtë mund ta theksojmë ‘Isra-në’ e Pejgamberit (savs), të cilën Kurani e ka përmendur vetëm me një ajet, ndryshe nga marshimet (luftërat) e tij, të cilave iu janë kushtuar sure të plota. Sa i përket mevludit – lindjes së Pejgamberit, Kurani nuk i ka kushtuar vëmendje. Kjo tregon se ai nuk është një çështje e rëndësishme në jetën islame, pasi që nuk është shoqëruar me ndonjë mrekulli sikur që ishte shoqëruar lindja e Krishtit (Isait a.s.), as me ndonjë vepër ose ibadet i cili kërkohet nga muslimanët, qoftë në mënyrë të detyruar ose në bazë vullnetare.
Ky është standard i pagabueshëm; sepse Kurani është shtyllë e besimit, rrënjë e fesë dhe burim i Islamit. Suneti vjen për ta shpjeguar dhe qartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:
“Me të vërtetë, ky Kuran udhëzon kah ajo që është më e drejtë…” (el-Isra, 9);
“Prej Allahut ju erdh juve dritë (Pejgamberi) dhe Libri i qartë (Kurani). Me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin kënaqësinë e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësirat në dritë me lejen e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” (el-Maide, 15-16);
“Na ta kemi dërguar ty Librin, – shpjegim për çdo çështje dhe si udhërrëfyes, mëshirë dhe sihariq për muslimanët.” (en-Nahl, 89);
Kjo do të thotë: Ai ka sqaruar fondamentet e domosdoshme; që feja të bazohet në themel të fuqishëm, kështu që çdo njësi nga tërësia totale që i duhen jetës islame, rrjedh nga Kurani, ose në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi. Transmetohet se halifi i parë (Ebu Bekri r.a.) ka thënë: “Nëse më humbët një litar i devesë, unë do ta gjeja atë në Librin e Allahut.”
Allahu e di më së miri!
Burimi: https://www.al-qaradawi.net/node/4329
Përkthim nga arabishtja: Miftar Ajdini
(Islampress)

















