Lajme
Blerim Sejdiu: BDI nuk mund të kërkojë llogari për dy vite, duke heshtur për njëzet të tjera

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së për qeverisjen aktuale, duke thënë se përgjegjësia politike për problemet e akumuluara ndër vite nuk mund të fshihet pas propagandës.
Në një postim publik, Sejdiu thekson se BDI për më shumë se dy dekada ka pasur mundësinë të qeverisë dhe të përcaktojë prioritetet e zhvillimit në zonat ku jetojnë shqiptarët.
Ai e lidh mërgimin masiv të të rinjve me mungesën e perspektivës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë në vend.
Sipas Sejdiut, VLEN, pas vetëm dy vitesh në Qeveri, po përballet me përpjekje për t’u ngarkuar me të gjitha problemet e trashëguara ndër vite.
“Nuk mund të kërkosh llogari për dy vite, duke heshtur për njëzet të tjera!”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka bërë thirrje për një debat të ndershëm mbi atë që është bërë, atë që nuk është bërë dhe ndryshimet që nevojiten, duke theksuar se përgjegjësia politike nuk duhet të zhvendoset sipas interesave të ditës.
“Ne nuk do të lejojmë që historia të relativizohet dhe përgjegjësia të zhvendoset sipas interesave politike të ditës. Nuk do të harrojmë kurrë!”, përfundon reagimi i tij.










