Lajme
Admir Shabani: BDI nuk ka kredibilitet të flasë për përfaqësimin e shqiptarëve në Akademinë Ushtarake

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Admir Shabani, ka reaguar ndaj kritikave të BDI-së lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në konkurset e Akademisë Ushtarake, duke akuzuar këtë parti për manipulim të opinionit dhe përpjekje për ta paraqitur situatën si diskriminim të shqiptarëve vetëm tani që ndodhet në opozitë.
Në reagimin e tij, Shabani rikujton se Talat Xhaferi, gjatë periudhës 2004–2006, ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e LSDM-së, kohë kur Akademia Ushtarake ishte vendosur nën moratorium dhe nuk pranonte studentë të ciklit të parë deri në vitin 2008. Ai thekson gjithashtu se Xhaferi ka qenë ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit gjatë viteve 2013–2014.
Shabani përmend edhe periudhën e fundit të qeverisjes së LSDM-së, kur Xhaferi ishte kryetar i Kuvendit dhe më pas kryeministër teknik, duke theksuar se në konkurset e Akademisë Ushtarake aplikonin vetëm një ose dy kandidatë shqiptarë në vit.
Sipas zëvendësministrit, rënia e interesimit të të rinjve shqiptarë për këtë profesion është shqetësuese, por zgjidhja nuk mund të vijë brenda natës dhe as përmes detyrimit të kandidatëve.
Ai vlerëson se nevojitet një qasje sistematike, me orientimin e të rinjve shqiptarë drejt karrierës ushtarake që nga shkolla e mesme, si dhe sensibilizimin e vazhdueshëm të tyre dhe prindërve për mundësitë që ofron Akademia Ushtarake.
Shabani thekson se edhe vetë ka bërë thirrje dhe njoftime publike për të inkurajuar kandidatët shqiptarë që të aplikojnë në Akademinë Ushtarake, pasi, sipas tij, shifrat tregojnë se numri i aplikuesve shqiptarë ka qenë i ulët edhe gjatë periudhave të mëparshme të qeverisjes.
Në fund të reagimit, zëvendësministri i Mbrojtjes i bën thirrje BDI-së që të ndalojë, siç shprehet ai, manipulimet dhe përpjekjet për të krijuar përshtypjen se shqiptarët po diskriminohen aktualisht për shkak të kalimit të kësaj partie në opozitë.











