Religjion
A lejohet të mbyllen xhamitë me çelës?

Xhamitë ndërtohen dhe ngrihen për adhurimin e Allahut të Madhërishëm. Në to falet namazi, lexohet dhe mësohet Kur’ani, bëhet dhikër dhe madhërohet Allahu i Lartësuar, bëhen lutje dhe kryhen vepra të tjera të mira, të cilat Allahu i do dhe ua kërkon robërve të Tij. Nisur nga ky qëllim, xhamitë duhet të jenë të hapura për publikun dhe t’i shërbejnë funksionit për të cilin janë ndërtuar.
Dijetarët e medhhebit hanefi thonë se mbyllja e xhamive me çelës është e papëlqyeshme (mekruh). Megjithatë, ky qëndrim vlen në rrethana paqësore dhe të sigurta, kur nuk ekziston frika nga vjedhja, dëmtimi apo shkaktimi i ndonjë dëmi xhamisë ose muslimanëve.
Duke iu referuar ajetit kuranor: “E kush është më zullumqar se ai që pengon të përmendet emri i Allahut në xhamitë e Tij…”, dijetarët kanë dhënë fetvanë se lejohet (la be’se – nuk ka pengesë) mbyllja e xhamisë në orare të caktuara, nëse ekziston një arsye për këtë. Si argument mbështeten edhe në rrëfimin kuranor për “Mesxhidud-Dirar” (Xhaminë e përçarjes), e cila, me urdhrin e Pejgamberit a.s., ishte rrënuar.
Ajo që duhet theksuar është se çdo xhami lokale ndërtohet para së gjithash për nevojat e komunitetit lokal, e jo për udhëtarët dhe kalimtarët. Prandaj, roli, funksioni dhe aktivitetet e xhamisë janë të orientuara drejt nevojave të banorëve të asaj zone, përkatësisht të fqinjëve të xhamisë.
Udhëtari ka mundësi ta shkurtojë namazin dhe t’i bashkojë namazet. Në medhhebin hanefi, bashkimi bëhet në mënyrë formale (në kohën e fundit të një namazi dhe në kohën e parë të namazit tjetër), ndërsa sipas juristëve të medhhebeve të tjera, bashkimi mund të bëhet realisht, në kohën që dëshiron dhe kur ka mundësi për këtë.
Kështu, udhëtari mund ta planifikojë namazin dhe ta falë aty ku ka mundësi. Nëse nuk gjen xhami, mund të falet në tokë, bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s.:
“E gjithë toka më është bërë mua (dhe umetit tim) e pastër dhe vend për falje – mesxhid.”
Nëse udhëtari nuk gjen një xhami të hapur, do të falet aty ku mundet dhe ashtu siç ka mundësi, duke u mbështetur në ajetin kuranor: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive të tij.”
KUR MUND TË MBYLLET XHAMIA?
1. Pas përfundimit të namazit.
2. Nëse ekziston frika nga vjedhja ose dëmtimi i pasurisë dhe inventarit të xhamisë.
3. Nëse ekziston dyshimi për ndonjë rrezik apo dëm të mundshëm ndaj muslimanëve, siç janë: vendosja e sendeve të rrezikshme, rrezikimi i sigurisë, hedhja e papastërtive apo cenimi i pastërtisë së hapësirës së xhamisë, vendosja e sendeve ilegale me qëllim që muslimanët të akuzohen, ngjitja e posterëve të papërshtatshëm etj.
4. Nëse ekziston mundësia që xhamia të përdoret për qëllime të papërshtatshme, siç është fjetja e personave të pastrehë ose e punëtorëve me rroba të papastra, gjë që mund të cenojë pastërtinë dhe qetësinë në xhami.
Gjithashtu, është e papëlqyeshme (mekruh) të sillen në xhami fëmijë të vegjël që nuk dinë të sillen siç duhet në të, persona me çrregullime mendore apo të sëmurë.
Nuk është e përshtatshme as që fëmijët e vegjël të lihen të lëvizin të pashoqëruar nëpër xhami, pasi mund të shkaktojnë rrëmujë. Prandaj këshillohet që këto situata të shmangen ose të krijohen hapësira të veçanta për nënat dhe ndërrimin e fëmijëve, sikurse ekzistojnë hapësirat për marrjen e abdesit.
A MUND TË LARGOHET DIKUSH NGA XHAMIA OSE T’I NDALOHET HYRJA?
Po, në rastet kur dikush shkakton rrëmujë, dëmton xhaminë ose pengon njerëzit gjatë namazit dhe aktiviteteve të saj. Këtu përfshihen, për shembull, personat e dehur, ata me çrregullime mendore, personat që shkaktojnë konflikte, që fyejnë të tjerët apo që fusin risi të papranuara në fe (bidate).
Në xhami i jepet përparësi interesit të xhematit dhe jo interesit të individit.
A MUND T’I NDALOHET DIKUJT TË MBAJË HALKË, DERS APO TË MËSOJË DIKË NË XHAMI?
Për xhaminë janë përgjegjës imami, muteveliu, kryesia e xhamisë dhe personat që kanë marrë përsipër përgjegjësinë për të. Ata, në përputhje me dispozitat islame, vendosin për lejimin e aktiviteteve të caktuara në xhami.
Interpretimi i Islamit është në kompetencën e imamit. Ai mund t’i lejojë dikujt të zhvillojë mësime fetare apo të organizojë aktivitete të caktuara, por të gjitha këto duhet të zhvillohen nën mbikëqyrjen e tij, në mënyrë që të mos shkaktohen fitne, mosmarrëveshje apo përçarje ndërmjet xhematlinjve.
Shkurtimisht, për çdo aktivitet në xhami duhet të kërkohet miratimi i imamit ose i kryesisë, duke u bazuar në ajetin kuranor: “O ju që besuat, bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që janë përgjegjës për çështjet tuaja.”
Allahu xh.sh. e di më së miri!
_________________________________________________
Ismet Purdić,
profesor i së drejtës së Sheriatit dhe anëtar i Këshillit Australian për Fetva.
Përktheu: Islampress.ch


















