Connect with us

Religjion

Xhemat i dashur, mendjen në kokë!

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm, Zotit të të gjithë botëve. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut dhe të dashurin e Tij, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër, ia kujtoj vetes dhe juve besimin e palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Të dashur vëllezër! Njeriu gjatë jetës së tij vazhdimisht, e sidomos në këto ditë, bën llogari. Çfarë më leverdis? Çfarë do të fitoj? Çfarë më sjell dobi? Ku mund të dal më mirë? Cili është interesi im? Dhe le të llogarisë. Kjo në vetvete nuk është e keqe, sepse Islami nuk kërkon prej nesh që të jemi naivë dhe të mos e shikojmë dobinë dhe interesin tonë. Por na mëson një gjë të rëndësishme: jo çdo dobi është e mirë për ne.

Në këtë kontekst, Mark Aureli, perandori dhe filozofi romak, në veprën e tij „Vetvetes“, ka shënuar një mendim interesant: „Kurrë mos e konsidero të dobishme për veten tënde diçka që një ditë mund të të detyrojë ta shkelësh fjalën tënde, ta humbasësh nderin tënd, të urresh, të dyshosh, të mallkosh, të shtirësh ose të dëshirosh diçka që duhet të fshihet pas mureve ose perdeve.“

E thënë bukur. Sepse njeriu ndonjëherë fiton diçka, por e humb veten. E fiton një punë, por e humb fytyrën dhe nderin. E fiton një pozitë, por për shkak të saj i tradhton njerëzit të cilëve u ka dhënë fjalën. Fiton pasuri, por e humb gjumin e qetë. E fiton dynjanë, por e humb atë që është shumë më e rëndësishme: ahiretin.

Dhe atëherë pyesim veten: a ishte vërtet kjo dobi?

Allahu i Lartësuar thotë: “Mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El-Bekare, 216).

Të dashur vëllezër! Siç e shihni, jo çdo fitim është i mirë dhe as çdo humbje nuk është e keqe. Prandaj, Islami na mëson të mos e pyesim vetëm: „Çfarë do të fitoj tani?“, por edhe: „A do të më sjellë kjo dobi edhe nesër, apo një ditë mund të pendohem për këtë?“

Sepse ajo që duket si fitim në dynja, mund të jetë humbje e madhe në ahiret. Allahu i sheh të gjitha, i dëgjon të gjitha dhe di gjithçka. Prandaj, o muslimanë, o xhemat i dashur, në këtë kohë sprovash, trazirash dhe zemërimi, mendjen në kokë dhe të shikojmë mirë se çfarë premtojmë, për çfarë merremi vesh dhe çfarë bëjmë, sepse një ditë të gjitha këto do të na kërkohen llogari. E se si do të jetë fitimi, Allahu e di më së miri.

E, meqë jemi te fitimi, do t’jua kujtoj një fitim të sigurt, një tregti të sigurt. Një tregti në të cilën askush që investon me zemër të sinqertë dhe shpirt të pastër nuk do të humbasë. Një tregti në të cilën, nëse investoni një euro, i fitoni prej 10 deri në 700 herë më shumë.

I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë: „Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe veprat e këqija dhe i ka sqaruar ato. Atij që synon të bëjë një vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu ia shënon një vepër të mirë të plotë. E nëse e bën, ia shënon prej 10 deri në 700 vepra të mira, madje edhe më shumë. Ndërsa atij që synon të bëjë një vepër të keqe, por nuk e bën, Allahu ia shënon një vepër të mirë të plotë. E nëse e bën, Allahu ia shënon vetëm një vepër të keqe.“

Ndërsa Allahu i Madhërishëm thotë:

إِنَّ اللّهَ لاَ يَظْلِمُ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ وَإِن تَكُ حَسَنَةً يُضَاعِفْهَا وَيُؤْتِ مِن لَّدُنْهُ أَجْرًا عَظِيمًا

“Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh.” (En-Nisa, 40).

Kjo është tregtia me Allahun. E vetmja tregti e sigurt. E vetmja marrëveshje e sigurt. I vetmi fitim i garantuar.

Për këtë ishin të vetëdijshëm muslimanët e parë. Kështu transmetohet se tek Osmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, erdhën nga Shami (Siria e sotme) 700 deve të ngarkuara me mall. Tregtarët erdhën për t’ia blerë mallin, ndërsa ai kërkoi që ta rrisnin çmimin e mallit. Kur ata e rritën çmimin, ai tha: „Nuk mjafton kjo. Unë kam ofertë më të mirë.“ Ata vazhduan ta rrisnin çmimin, derisa e dhjetëfishuan atë. Pastaj thanë: „Në gjithë vendin tonë askush nuk mund të të paguajë më shumë se kaq.“ Ndërsa ai tha: „Allahu më ofron një çmim 700 herë më të madh. Bëhuni dëshmitarë se të gjithë këtë ia jap Allahut.“ Pastaj të gjithë mallin ua shpërndau të varfërve!

Vëllezër! Nuk mund të japim të gjithë si Osmani, Allahu qoftë i kënaqur me të. Por mund ta ndihmojmë të mirën që bëhet rreth nesh. Dikush me një euro, dikush me dhjetë euro, dikush me punën e tij, dikush me kohën e tij, e dikush me një fjalë të mirë.

Dhe në fund, të dashur vëllezër!  Le të shikojmë mirë se ku po investojmë, me kë po merremi vesh dhe me kë po bëjmë tregti. Sepse nuk është e rëndësishme vetëm se sa kemi fituar. E rëndësishme është se çfarë kemi humbur për shkak të saj.

Prandaj, le ta ruajmë fytyrën, nderin dhe dinjitetin tonë. Le ta ruajmë fjalën tonë. Le ta ruajmë amanetin tonë. Le ta ruajmë fenë tonë. Le të mos e shesim atë që nuk mund të blihet me para.

O Zoti ynë! Na dhuro gjykim të drejtë që ta dallojmë dobinë nga dëmi, të vërtetën nga gënjeshtra, amanetin nga tregtia dhe atë që është e drejtë nga ajo që vetëm përkohësisht na përshtatet.

O Zoti ynë! Na ruaj që për shkak të dobisë së kësaj dynjaje të mos e shesim fenë tonë, nderin dhe dinjitetin tonë. Na dhuro që të jemi njerëz që e mbajnë fjalën, njerëz të amanetit dhe njerëz që të frikësohen vetëm Ty! Amin!

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK