Maqedoni
Tregu bosh, trotuaret plot: Shitësit në Tetovë kërkojnë largimin e ambulantëve

Përderisa brenda tregut mbi 120 tezga janë të lira, rruga jashtë tregut është stërmbushur me shitës ambulantë të perimeve. Shitësit në treg ankohen se kjo ua pamundëson shitjen dhe kërkojnë nga Inspektorati dhe drejtoria e tregut të ndërmarrin masa. Në të kundërtën, paralajmërojnë se nuk do të paguajnë qiranë.
“Ata shesin nga 30-40 kuti, ndërsa ne as 20 kilogramë s’mund të shesim. Ne paguajmë tezgën dhe na bëjnë shumë dëm.” – Shitës.
Një tjetër shitës kërkon masa nga Inspektorati, duke thënë se ata që shesin në rrugë i marrin produktet dhe largohen, ndërsa tregtarët brenda paguajnë qira të lartë.
Përgjegjësi i tregut të gjelbër, Havzi Rizvani, fajin ia atribuon Inspektoratit, i cili, sipas tij, duhet të jetë më shumë në terren gjatë gjithë ditës.
Komuna e Tetovës ka caktuar një lokacion tjetër, te qendra sportive, ku prodhuesit mund të shesin pemë dhe perime pa pagesë, por ky lokacion nuk shfrytëzohet nga shitësit ambulantë.
“Ne u kemi caktuar një lokacion tjetër, mirëpo nuk mund t’i lejojmë të shesin tek tregu, sepse kjo do të nënkuptonte mbylljen e tregut dhe largimin e punëtorëve”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Pavarësisht deklarimeve dhe masave të paralajmëruara, shitësit ambulantë vazhdojnë të shesin në trotuaret para tregut. Nga gjithsej 360 tezga, aktualisht 130 janë të lira.











