Connect with us

Shqipëri

Teoria e re e proamerikanizmit!

Publikuar

më

Nga Thoma Gëllçi

Rastësisht pashë një pjesë debati televiziv ku aktori Laert Vasili iu drejtua gazetarit Lutfi Dervishi me një pyetje shkatërruese: – Ti je proamerikan apo antiamerikan?

Dhe, meqenëse nuk mori përgjigjen që dëshironte, e përsëriti disa herë. Nuk po kuptoja ç’lidhje kishte proamerikanizmi apo antiamerikanizmi me temën e debatit. Por Laerti, pas disa përpjekjesh, më në fund e sqaroi mendimin e tij të thellë:

– Në Amerikë bëj numra ti, foli policit dhe shiko çfarë të gjen!

Tani gjithçka u bë e qartë. Sipas kësaj teorie të re të marrëdhënieve ndërkombëtare, nëse dënon dhunën e një polici amerikan, je antiamerikan. Nëse e mbron dhunën e tij, je proamerikan.

Por, meqenëse Laerti ndoshta Amerikën e njeh më shumë nga filmat sesa nga jeta e përditshme, po i tregoj një ngjarje të vërtetë. Madje, një ngjarje ku policët nuk luanin role dhe viktima nuk u ngrit pas përfundimit të xhirimeve.

Më 25 maj 2020, në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara, një polic i bardhë, Derek Chauvin, mbajti gjurin mbi qafën e një qytetari me ngjyrë, George Floyd, për më shumë se nëntë minuta. Floyd ishte i shtrirë në tokë, me duart e lidhura pas shpine. Nuk përbënte më asnjë rrezik për policët. Ai përsëriste se nuk merrte dot frymë. Polici nuk e hoqi gjurin dhe George Floyd vdiq.

Vdekja e tij shkaktoi protesta të mëdha në të gjithë Amerikën. Miliona qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar dhunën policore dhe racizmin. Protestat u përhapën edhe në vende të tjera. Në shumicën e rasteve ishin paqësore, por pati edhe përplasje me policinë, djegie, shkatërrime dhe plaçkitje. Megjithatë, askush nuk mund ta fshinte arsyen që i kishte nxjerrë njerëzit në rrugë. Një polic kishte vrarë një qytetar duke përdorur forcë të paligjshme.

Polici u arrestua, u gjykua dhe u dënua me 22 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen e Floyd. Ai mori edhe një dënim federal me 21 vjet burg për shkeljen e të drejtave civile. Edhe tre policët e tjerë që ndodheshin pranë tij u dënuan, sepse nuk ndërhynë për të ndaluar kolegun dhe nuk i dhanë ndihmë viktimës.

Pra, në Amerikë mund të përfundosh në burg edhe kur je polic dhe ke përdorur dhunë të paligjshme. Dhe amerikanët që protestuan kundër vrasjes së Floyd nuk u shpallën antiamerikanë vetëm pse kërkonin ndëshkimin e policëve.

Kaq për t’i treguar një shembull Laert Vasilit dhe gjithë atyre që entuziazmohen sa herë shohin një polic që rreh demonstrues në Francë, Gjermani, Itali apo Amerikë. Shkelja e ligjit nga një polic i huaj nuk përbën leje për policinë shqiptare që të rrahë vajzat dhe djemtë që protestojnë në Tiranë.

Por prape nuk e kuptova dot nese ky aktori eshte proamerikan apo antiamerikan?