Lajme
Rikthimi i fuqishëm i Ervin Hatibit me vargje brilante mbi protestën

Ervin Hatibi, një emër i bujshëm i letrave shqipe në vitet ’90-‘2000, si poet e publicist brilant, është rikthyer sërish me famën e tij të munguar nga distanca me jetën publike shqiptare pas një zhvendosjeje jashtë Shqipërisë për mbi 15 vite, duke i dedikuar zhvillimeve më të fundit një krijim poetik me një mesazh mbështetës ndaj protestave të fuqishme anti-Rama.
Siç e ka komentuar politilogu Adri Nurellari, “në poezinë e re të Ervin Hatibit, lebra është stigma që pushteti iu vë kundërshtarëve të tij, ndërsa puthja e poetit është akti i guximit për t’u solidarizuar me ata që të tjerët i braktisin”.
Dhe duhet kujtuar fakti se Rama dikur e kishte ndër të preferuarit e tij fogurën dhe talentin e Ervin Hatibit.
Kush do vjersha të buk’ra, le të shkojë te makina
po makina s’ta ngjit dot lebrën
Është zilja: poezi është tringëllim’ e ziles tek ngjeth përreth, kur
hap pas hapi lebrozin përndjek
Pa puthe po deshe! Poet është veç kush druhet të puthë
nga frika mos i zbulon kush sekretin
Me zilen në qafë, fytyrën mbuluar, dëgjon nga larg si siguron njerëzit
E digjet t’i puthë, ai zjarr e mban, se kjo është dashuria
jo puthja që pranoi Mesia
Pse kjo puthje damkos, fut në burg, nxjerr mjekra te gratë ajo puthje
Prandaj dhe nuk puth, ajo prekje plagos, prandaj puth veç
lebrozë, që infektojnë, e zilet bëjn’ kor
Prandaj puth nga larg, me tingull, puth tinguj
Puth asfaltin ku ra një pikë gjak i Evës
Tring! Puth asfaltin lotsjellës ku ra në betejë
trup’ i plagosur i Muhamedit
Puth shkopat e fshehur nën gomë, puth shkopinjtë që krijojnë
armata shenjtorësh, një çetë me engjëj
qoftë dhe prej hajdutësh të vegjël gazmorë
mes flakësh, horizontvjedhur
Puth nëpër rërë vijën e gjatë që gërmoi heqja zvarrë e Edit
Subashit, zëshuar, pa ndjenja, krijonte
me trup vijë fronti buzë detit
E ndau ajo vijë poshtërimi përgjysëm komplet historinë e vendit
Ashtu pastaj vrasësin e Patroklit të shkretë tërhiqnin
para se t’i digjnin
Ashtu qe poezia, zilja që shtypej nën një trup torturuar
nofullshtrënguar, zilja që kumboi mërinë brenda teje










