Connect with us

Religjion

Një ditë ti do të jesh tema e një hutbeje të tillë, andaj përgatite përgjigjen!

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve. Le të sjellim salavate dhe selam mbi të dërguarin e fundit dhe të dashurin të Allahut, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur! Po e këshilloj veten dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.

Allahu, xh.sh., thotë: “Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta).” (El-Enbija’, 1)

Vëllezër të dashur! Sot do të flas me fjalët e atyre që umeti i ka quajtur dritë, të vërtetë dhe zë i ndërgjegjes. Nuk do të jenë fjalë të ndonjë oratori të madh, por fjalë të njerëzve që netët i kalonin në lot, ndërsa ditët në luftë kundër padrejtësisë dhe egos së tyre. Fjalë që nuk janë thënë para kamerave, as për duartrokitje, por para Allahut dhe për Allahun e Plotfuqishëm.

Këto janë fjalë të (1) Hasan El-Basriut, (2) Ebu Hazim Selemes bin Dinarit dhe (3) Omer bin Abdulazizit – tre njerëz që jetuan thjesht, folën pak, por kur flisnin, fjalët e tyre i shponin zemrat. Këshillat e tyre janë pa zbukurime, por me të vërtetën. Pa filozofi, por me peshë.

Prandaj, le t’i hapim zemrat tona. Sepse ndoshta pikërisht ndonjëra prej këtyre fjalive do të jetë kthimi im dhe i yti tek Allahu.

Hasan el-Basriu, është një prej tabiinëve, nxënës i sahabëve, ka jetuar në Basra dhe është i njohur për urtësinë, modestinë dhe fjalët e ashpra të së vërtetës. Ai thotë: „O njerëz, unë nuk ju këshilloj për t’ju qortuar, por për t’ju zgjuar. Kam parë njerëz që frikësoheshin nga Allahu dhe nuk kishin kohë të qeshnin, ndërsa sot shoh njerëz që flasin për Xhehenemin dhe qeshin sikur nuk kanë punë me të. Pasha Allahun, sikur vdekja të ishte në mendjen tuaj sa është dynjaja në zemrat tuaja, ju nuk do të ndërtonit shtëpi sikur do të banonit përgjithmonë në to, e as nuk do t’ia kishit lakmi atij që ka më shumë – ndoshta pikërisht ajo është shkaku i shkatërrimit të tij. O biri i Ademit, ti je vetëm një grumbull ditësh. Kur kalon një ditë, shkon edhe një pjesë e jote.“

Ebu Hazim Seleme bin Dinar është dijetar dhe asket nga Medina, bashkëkohës i tabiinëve, i njohur për ligjërimet e tij të thella të devotshmërisë. Njëherë e pyeti një njeri: “Si je, o Ebu Hazim?” Ai u përgjigj: “Çfarë mendon për një njeri që çdo ditë përcjell njëri pas tjetrit në varr, dhe nuk e di kur është radha e tij? Si duhet të ndihet ai?” Njeriu heshti. Kurse Ebu Hazimi i tha: „Nëse je në lajthitje, mos e mashtro veten. E nëse e di (të vërtetën), atëherë përgatitu!”

Omer bin Abdulazizi njihet si “halifi i pestë i drejtë”, ishte halif Emevit, i njohur për drejtësinë, përulësinë dhe ringjalljen e Sunetit. Ai thotë: “O njerëz, jeta juaj nuk është pronë e juaj, ajo është amanet. Edhe koha që e keni është kapital që po e shpenzoni: A do ta shpenzoni për ahiret, apo do të zgjoheni kur të jetë tepër vonë? Mos u mashtroni: çdo ditë jeni më afër varrit. Ato që keni punuar, do të dalin para jush si dëshmitarë. Ku janë ata që uleshin këtu para jush? Ku janë ata që mbillnin, blinin, ndërtonin, trashëgonin, qeshnin? Të gjithë kanë shkuar. Kanë mbetur vetëm veprat e tyre. Prandaj, bëni drejtësi. Lërini mëkatet. Kërkoni falje. Pajtohuni. Mësoni diçka të dobishme. Jepni sadaka, qoftë edhe me një buzëqeshje, me një fjalë të mirë, me një ndjesë, me një selam. Mos lejoni që vdekja t’ju vijë si befasi. Sepse ajo nuk pyet as për moshën, as për profesionin, as për nderin. O njerëz, kthehuni tek Allahu sa jeni ende gjallë. Sepse kur shpirti të arrijë në fyt, dyert e pendimit do të mbyllen.”

O vëllezër të dashur! Këto nuk janë fjalët e mia, por janë fjalë të atyre që i frikësoheshin Allahut më shumë sesa që ne i frikësohemi dështimit, varfërisë apo lajmeve të titujve kryesorë. Le të mësojmë prej tyre derisa ende kemi mundësi. Sepse po afrohet dita kur edhe ne do të përmendemi, ose për të mirë, ose për mundësinë e humbur.

O Zoti ynë, na dhuro mundësinë që të zgjohemi para se shpirtrat tanë të na dalin nga trupat! Amin!  

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK