Maqedoni
Mickoski studentëve: Udhëtoni, mësoni, por kthehuni në Maqedoni

Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje studentëve të rinj që të shfrytëzojnë mundësitë për arsimim dhe përvojë jashtë vendit, por në fund të kthehen dhe të kontribuojnë në Maqedoninë e Veriut.
Duke iu drejtuar studentëve në orën e parë akademike në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Mickoski tha se sfida e vërtetë është angazhimi për familjen dhe vendin.
“Kudo që të shkoni, kthehuni në shtëpi dhe së bashku të luftojmë për vendin tonë”, porositi ai.
Mickoski u bëri thirrje edhe profesorëve që, përveç dijes, të jenë pedagogë dhe shembull për studentët. Ai foli edhe për përvojën e tij jashtë vendit, duke thënë se gjithmonë kishte vendosur të kthehej.
Rektori Dejan Mirakovski u tha studentëve se universiteti nuk është vetëm vend për të marrë diplomë, por hapësirë ku lindin ide dhe fitohet dije.
Ndërkaq, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Ana Mihajllov, i inkurajoi studentët të shfrytëzojnë programin Erasmus+, të studiojnë jashtë dhe të fitojnë përvoja ndërkombëtare.












