Lajme
Mbishkrimet vetëm në maqedonisht në sallën e Kumanovës, Osmani: Projekti është i vitit 2018, do t’i korrigjojmë

Përplasjet politike për mbishkrimet vetëm në gjuhën maqedonase në sallën sportive të Kumanovës po marrin tjetër drejtim. Pas kritikave të këshilltarëve të BDI-së, koordinatori i VLEN-it në Këshillin Komunal të Kumanovës, Skender Osmani, ka drejtuar gishtin nga qeverisja e mëparshme, duke theksuar se projekti i sallës, përfshirë edhe mbishkrimet, është hartuar në vitin 2018, kur BDI-ja ishte në pushtet si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror. Megjithatë, Osmani pranon se mbishkrimet nuk janë në përputhje me kërkesat për përdorimin e gjuhës shqipe dhe paralajmëron korrigjimin e tyre, raporton OPEN TV.
Në një deklaratë për OPEN TV, Osmani tha se projekti është realizuar sipas dokumentacionit të hartuar në vitin 2018, ndërsa përgjegjësinë për mangësitë e evidentuara nuk ia atribuon ndërtuesit, i cili, sipas tij, ka punuar në bazë të projektit të miratuar.
Sipas Osmanit, ata që sot kritikojnë mungesën e shqipes në mbishkrimet e sallës është dashur të reagojnë më herët dhe të kërkojnë ndryshimin e projektit gjatë fazave të tij të miratimit apo realizimit.
Megjithatë, pavarësisht debatit politik për përgjegjësinë, Osmani thotë se është arritur marrëveshje me ndërtuesin që të gjitha mbishkrimet të korrigjohen dhe të vendosen në dy gjuhë, në përputhje me ligjin.
Ai sqaroi se aktualisht mbishkrimet janë realizuar ashtu siç parashikohen në projekt. Mbishkrimi kryesor, “Sportska Salla”, është vendosur me alfabet cirilik dhe vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa tabelat e tjera orientuese janë në maqedonisht dhe anglisht, pa përfshirë gjuhën shqipe.
Osmani premtoi se edhe këto tabela do të plotësohen me gjuhën shqipe, duke siguruar se ndërhyrjet do të bëhen në vijim. “Fatkeqësisht, edhe në këtë rast na mbetet neve t’i korrigjojmë mosrealizimet e opozitës, e cila tani po reagon. Pse e them këtë? Projekti për sallën sportive, ku përfshihet edhe projekti për mbishkrimet, është hartuar në vitin 2018. Dihet se kush ishte në pushtet në atë kohë, si në nivel lokal, ashtu edhe në nivel qendror.
Prandaj, ata që po reagojnë sot është dashur që me kohë, gjatë miratimit të projektit apo gjatë realizimit të tij, të kërkonin përmirësimin e këtyre mangësive përmes një revidimi të projektit.
Sa i përket ndërtuesit, kompanisë Kozovski nga Koçani, në këtë rast ai nuk ka faj, pasi e ka shqyrtuar projektin dhe e ka realizuar punën në përputhje me atë që ishte paraparë. Megjithatë, sot jemi marrë vesh me ndërtuesin që të gjitha mbishkrimet të përmirësohen dhe të vendosen në dy gjuhë, në përputhje me ligjin. Kjo është ajo që mund të them për momentin lidhur me këtë rast.
Të gjitha mbishkrimet janë realizuar sipas projektit. Pra, në pjesën qendrore, me alfabet cirilik dhe vetëm në gjuhën maqedonase, shkruan ‘Sportka Salla’, ndërsa tabelat e tjera orientuese janë në gjuhën maqedonase dhe angleze, pa përfshirë gjuhën shqipe.
Edhe këto tabela do të plotësohen dhe do të vendosen në dy gjuhë, ashtu siç kërkohet, dhe kjo do të bëhet tani”, tha Osmani./OPEN TV














