Maqedoni
Mashtrim mbi 12 milionë denarë, dyshohen dy gra dhe pesë bankierë

SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal ndaj dy grave nga Kumanova dhe pesë punonjësve bankarë, nën dyshimin për përfshirje në një skemë mashtrimi që u ka shkaktuar disa qytetarëve dëm në vlerë prej 12.221.500 denarësh.
Sipas njoftimit të policisë, A.S.D. (23) dhe M.V. (35) dyshohen për veprat penale “mashtrim” dhe “keqpërdorim të të dhënave personale”.
E dyshuara e parë, gjatë periudhës nga janari deri në korrik të vitit 2026, dyshohet se ka aplikuar në 18 raste për kredi të shpejta konsumatore, duke përdorur të dhënat personale të qytetarëve, në emër të tyre dhe pa pëlqimin e tyre. Pas miratimit dhe disbursimit të kredive, paratë dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy të dyshuarat.
Kallëzim penal është ngritur edhe ndaj M.P. (34), S.M. (27), N.N. (34), D.M. (48) dhe S.O. (36), të punësuar në një degë bankare, nën dyshimin për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Sipas policisë, pesë punonjësit bankarë dyshohet se kanë mundësuar realizimin e mashtrimit dhe disponimin me mjetet financiare, duke u mundësuar dy të dyshuarave përfitim të kundërligjshëm prej mbi 12 milionë denarësh. Hetimi vijon, ndërsa për të gjithë të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.













