Lajme
Lajm i mirë për Medresenë “Isa Beu” në Kondovë, Muhamet Elmazi nënshkruan lejen për sallën sportive!

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka nënshkruar lejen për ndërtimin e sallës së sportit në Medresenë “Isa Beu” në Kondovë, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit e këtij institucioni arsimor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Elmazi bëri të ditur se lejen e nënshkroi gjatë një takimi me drejtorin e Medresesë, Islam Islami.
Sipas Elmazit, ndërtimi i sallës do t’u mundësojë nxënësve të zhvillojnë aktivitete sportive në kushte më të mira, krahas procesit mësimor dhe edukimit shpirtëror.
Ai theksoi se krijimi i hapësirave sportive është i rëndësishëm për zhvillimin fizik të të rinjve, kultivimin e disiplinës dhe promovimin e një jete të shëndetshme.
Elmazi u shpreh se Komuna e Sarajit do të vazhdojë të mbështesë projekte që synojnë përmirësimin e kushteve për të rinjtë dhe komunitetin.














