Kosovë
Kurti merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për fuqizimin e grave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë sot në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”.
Konferenca bashkon liderë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, ekspertë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar rolin e grave në ndërtimin e paqes, sigurinë dhe transformimin e institucioneve e të shoqërisë.
Katërmbëdhjetë vjet pas miratimit të Parimeve të Prishtinës, konferenca synon të shqyrtojë përparimin e arritur dhe sfidat që mbeten, duke përcaktuar prioritetet për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë gjatë periudhës 2026–2035.

















