Connect with us

Kosovë

Kurti: Kontributi i grave nuk është vetëm ekonomik dhe institucional, por është edhe kontribut për paqen dhe sigurinë

Publikuar

më

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ditën e dytë të konferencës ndërkombëtare me temë “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”.

Kurti tha se gratë e Kosovës kanë qenë gjithmonë shtyllë e historisë, zhvillimit dhe qëndresës së vendit tonë, teksa foli për përgjegjësinë institucionale që kontributi i tyre të shndërrohet gjithnjë e më shumë në mundësi, pjesëmarrje dhe vendimmarrje.

“Fuqizimi i grave për ne nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore. Është edhe investim në zhvillimin ekonomik, social dhe demokratik të vendit. Dhe këtë e kemi shoqëruar si ekzekutiv me politika publike, buxhet adekuat dhe rezultate konkrete“, tha Kurti, duke potencuar këtu mbështetjen e drejtpërdrejt në punësimin e mbi 12 mijë grave, pastaj ndarjen e bursave për vajza, mbështetjen financiare për nënat dhe fëmijët, investimin në sipërmarrjen e grave dhe në bujqësi, si dhe ndërmarrjen e masave të veçanta për gratë të cilat e kanë mbijetuar dhunën, duke ofruar ndihmë juridike falas dhe subvencionim page.

Kurti theksoi se kontributi i grave nuk është vetëm ekonomik dhe institucional, por është edhe kontribut për paqen dhe sigurinë.

“Kosova e di nga përvoja e saj se paqja nuk ndërtohet vetëm në tryezën e negociatave. Ajo ndërtohet në familje, në komunitete dhe në institucione. Gratë e Kosovës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ndërtuese të paqes, mbrojtëse të familjeve dhe të komuniteteve, profesioniste në institucionet e sigurisë dhe zëra për drejtësi”, tha ai, duke shtuar se pjesëmarrja e grave në paqe dhe siguri nuk është thjeshtë vetëm çështje përfaqësimi, por është çështje e stabilitetit afatgjatë të vetë vendit.

Kurti tha se nuk mund të ndërtojmë një Kosovë më të fortë duke lënë jashtë potencialin e gjysmës së shoqërisë tonë, prandaj duhet të vazhdojmë të investojmë në arsim, në punësim, në sipërmarrje, shëndetësi dhe institucione që krijojnë mundësi të barabarta.

NA NDIQ NË FACEBOOK