Connect with us

Lajme

Kasami nga Çellopeku: Bërvenica do të jetë fitorja e 11-të e VLEN-it

Publikuar

më

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në Konventën Promovuese të kandidatit Jakup Huseini në Çellopek, tha se Bërvenica duhet të jetë komuna e 11-të që do t’i bashkohet komunave të udhëhequra nga VLEN-i.

Kasami tha se Jakup Huseini e njeh mirë komunën dhe nevojat e banorëve, ndërsa premtoi mbështetje të plotë institucionale për realizimin e projekteve në Bërvenicë.

“Jakupi vjen me program, ndërsa ne vijmë me mbështetje të plotë për të. Ashtu siç e transformuam çdo komunë, me investime rekord të financuara nga Qeveria, kjo dorë e zhvillimit do të vijë edhe në Bërvenicë”, tha Kasami.

Ai përmendi disa nga projektet që, sipas tij, do të realizohen gjatë mandatit të ardhshëm, përfshirë përfundimin e çerdhes në Çellopek dhe Sallës së Sportit, përmirësimin e kushteve në shkolla, investimet në rrugë, menaxhimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e mjedisit.

Kasami theksoi se këto nuk janë premtime boshe, duke iu referuar projekteve të realizuara në komunat e tjera të udhëhequra nga VLEN-i.

“Pra, nuk vijmë me premtime boshe si ata që qeverisën 20 vjet. Vijmë me shembuj konkretë, me model të dëshmuar të qeverisjes së përkushtuar në punë dhe zhvillim”, deklaroi Kasami.

Në fjalimin e tij, ai u ndal edhe te uniteti brenda VLEN-it, duke thënë se kundërshtarët politikë, sipas tij, shpresojnë në përçarjen e këtij subjekti.

“VLEN-i është i bashkuar, i konsoliduar dhe unik. Të gjithë pas Jakupit në Bërvenicë”, tha Kasami, duke shtuar se ky projekt është më i madh se interesat individuale.

Kasami e mbylli fjalimin me thirrjen për mbështetje të Jakup Huseinit në zgjedhjet e 18 tetorit, duke e cilësuar fitoren në Bërvenicë si hapin e radhës të VLEN-it.

“Ky tren nuk ndalet. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Koha e tyre ka mbaruar. Këtë do ta dëshmojmë edhe me 18 tetor, me fitoren e Jakupit në Bërvenicë. Ora e zhvillimit erdhi edhe për Bërvenicën”, tha Kasami.