Maqedoni
Goditet grupi kriminal pas 15 vitesh, rreth 30 bastisje dhe 21 persona nën hetim

Një hetim më shumë se njëvjeçar i MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Publike dhe shërbime partnere të huaja, ka rezultuar me një aksion të gjerë policor në Prilep dhe zona të tjera, njofton 4news.mk.
Sipas ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, janë kryer rreth 30 bastisje, ndërsa kallëzimi fillestar penal pritet të përfshijë rreth 21 persona.
Toshkovski deklaroi se bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal, pjesëtarë të të cilit dyshohet se kanë vepruar prej më shumë se 15 vitesh, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vende të BE-së.
Hetimet përfshijnë dyshime për vjedhje të rënda dhe krime të tjera pronësore në Greqi, veçanërisht në Halkidiki dhe Kalithea, si dhe aktivitete të mundshme kriminale në Spanjë.
Bastisje janë kryer edhe te disa punonjës policie, të cilët dyshohet se u kanë dhënë informacione anëtarëve të grupit dhe i kanë ndihmuar në aktivitetet e tyre.
Hetimet për rastin vazhdojnë.














