Sport
Gjyqtari Ilioski i kërkon falje Besir Demirit, Shkëndija Haraçinë kërkon përgjegjësi

KF Shkëndija Haraçinë 77 ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin e ndodhur ndaj kapitenit të skuadrës, Besir Demiri, duke vënë theksin te fyerjet me karakter racist, për të cilat kërkon përgjegjësi institucionale.
Përmes një kumtese zyrtare, klubi njofton se gjyqtari Ilioski ka kontaktuar personalisht kapitenin Besir Demiri, duke i kërkuar falje për incidentin e ndodhur.
Nga Shkëndija Haraçinë 77 e vlerësojnë këtë gjest dhe gatishmërinë e gjyqtarit për të pranuar gabimin, por theksojnë se kërkimfalja nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për fyerjet me karakter racist.
“Racizmi dhe diskriminimi nuk kanë vend në futboll, aq më pak kur vijnë nga personat që kanë për detyrë të garantojnë drejtësinë, paanshmërinë dhe respektimin e rregullave në fushën e lojës”, thuhet në reagimin e klubit.
Shkëndija Haraçinë 77 kërkon që institucionet kompetente të futbollit ta shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin masat përkatëse disiplinore, pavarësisht kërkimfaljes së gjyqtarit.
Klubi thekson se nuk kërkon hakmarrje apo privilegje, por përgjegjësi, respekt dhe trajtim të barabartë për çdo futbollist.
“Për ne, ky nuk është vetëm një incident ndaj kapitenit tonë, por një çështje parimore që prek dinjitetin e çdo sportisti”, përfundon reagimi i KF Shkëndija Haraçinë 77, duke rikujtuar se futbolli duhet të jetë lojë që bashkon dhe jo që ndan.


















