Maqedoni
Fon der Lajen me mesazh për Mickoskin: Kërko dialog me Bullgarinë – Sofjes i është dërguar tashmë nota

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se, me këshillën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Maqedonia e Veriut do të kërkojë një takim zyrtar me palën bullgare në Sofje.
Sipas Mickoskit, Sofjes tashmë i është dërguar një notë me kërkesë për takim dypalësh, me synimin për të tentuar riaktivizimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën e përbashkët për media me von der Leyen, Mickoski tha se kishte ngritur edhe çështjen e mundësisë që BE-ja të ndërmjetësojë në bisedimet me Bullgarinë.
Von der Leyen vlerësoi se një takim eventual mes ministrave të Jashtëm Timço Mucunski dhe Velislava Petrova në Sofje do të ishte “hapi i parë drejt përpjekjes për rikthimin e procesit të integrimit evropian” të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski theksoi se orientimi evropian i vendit nuk vihet në pikëpyetje, por procesi duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në rregulla të qarta.
Nga ana tjetër, von der Leyen përsëriti se për vazhdimin e procesit mbetet kyç miratimi i ndryshimeve kushtetuese.
“Keni edhe një detyrë vendimtare që duhet ta përmbushni, në mënyrë që të mund të ecni përpara dhe të hapni grupimin e parë negociues”, tha von der Leyen.
Ajo shtoi se BE-ja e pret këtë vendim dhe se Maqedonia e Veriut do të pranohet në BE me identitetin dhe gjuhën e saj.
Hapi i radhës është Sofja. Mbetet të shihet nëse dialogu i paralajmëruar do të sjellë lëvizje konkrete në procesin e integrimit evropian.














