Connect with us

Religjion

Edhe kundër dëshmitarëve ka dëshmitar

Publikuar

më

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë:

“Personi i parë që do të thirret dhe do të sillet para llogarisë në Ditën e Kiametit do të jetë Nuhu (a.s.) bashkë me popullin e tij. Atij do t’i bëhet kjo pyetje: ‘A ua përcolle popullit tënd atë me të cilën të dërguam?’ Ai do të përgjigjet: ‘Po, o Zoti im!’

Pastaj popullit të tij do t’i bëhet kjo pyetje: ‘A jua përcolli Nuhu Shpalljen e Allahut?’ Ata do të përgjigjen: ‘Jo, pasha Allahun! Sikur të na kishe dërguar një të dërguar, ne do t’i kishim pasuar ajetet e Tua dhe do të ishim bërë besimtarë. Ai nuk na përcolli asgjë nga ato që ishte urdhëruar të na përcillte.’

Atëherë Nuhut (a.s.) do t’i thuhet: ‘Ata pretendojnë se ti nuk u ke përcjellë asgjë. A ke ndonjë dëshmitar që do të dëshmojë në favorin tënd dhe kundër tyre?’

Ai do të përgjigjet: ‘Po.’  ‘Kë ke?’ – do të pyetet.

Ai do të thotë: ‘Umetin e Muhamedit (savs).’

Pastaj do të thirret umeti i Muhamedit (savs) dhe do të pyetet, ndërsa ata do të përgjigjen: ‘Po, ne dëshmojmë se Nuhu ua përcolli shpalljen popullit të tij.’

Atëherë populli i Nuhut do të pyesë: ‘Si mund të dëshmoni kundër nesh, kur ne kemi qenë populli i parë, ndërsa ju jeni populli i fundit të cilit i është shpallur Libri?’

Ata do të përgjigjen: ‘Ne dëshmojmë se Allahu na dërgoi një të Dërguar dhe na shpalli një Libër. Në atë Libër gjendet lajmi dhe rrëfimi për ju.’” (Tenbihul-gafilin).

Ebu Hurejre (r.a.) ka thënë: “Ne jemi umeti i fundit në këtë botë, por do të jemi të parët në Ditën e Kiametit.” Për këtë flasin fjalët e Allahut të Lartësuar: “ Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju…” (El-Bekare, 143).

Allahu i Lartësuar çdo populli i ka dërguar të dërguar. Askënd nuk e ka ndëshkuar pa e paralajmëruar më parë. Sipas asaj që ka thënë i Dërguari i Allahut (savs), numri i atyre që kanë paralajmëruar njerëzit ka qenë 124 000 (njëqind e njëzet e katër mijë). Askush nuk do të mund të thotë në Ditën e Gjykimit se paralajmërimi, shpallja, fjala e Allahut dhe thirrja e Tij nuk i kanë arritur.

“Sa herë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t’i pyesin: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!” – Po – do të përgjigjen ata – na ka ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe!” – Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!” (El-Mulk, 8–10).

Nuhu (a.s.), pa u lodhur dhe pa kursyer asgjë nga vetja, e thirri popullin e tij për “një mijë vjet pa pesëdhjetë”. Ai i ftonte në anijen e shpëtimit, sepse shpëtim nuk ka jashtë anijes që i dërguari i ndërton për çdo popull të vetin.

Ata i mbyllnin veshët që të mos e dëgjonin, i mbulonin kokat që të mos e shihnin atë që i paralajmëronte dhe i ftonte drejt shpëtimit. Tani, kur në Ditën e Gjykimit janë përballur me të para Zotit të tyre, shpëtimin e kërkojnë përmes mohimit. Thonë: “Ai nuk na solli asgjë dhe nuk na paralajmëroi fare. Po të kishte bërë një gjë të tillë, ne do t’i ishim përgjigjur thirrjes së tij.”

Por ka dëshmitarë që vërtetojnë se gjërat kanë qenë ndryshe. Dëshmitarë që e dinë se Nuhu (a.s.) i ftonte njerëzit ditën dhe natën dhe se këtë e bënte me përkushtim të madh.

Ne jemi dëshmitarët, umeti i Muhamedit (savs). Allahu i Lartësuar na ka rrëfyer historinë e Nuhut dhe të gjithë të dërguarve të tjerë, prandaj ne e dimë të vërtetën. Këtë të vërtetë do ta themi para Zotit të botëve dhe do të dëshmojmë kundër të humburve që e mohojnë atë.

Edhe kundër dëshmitarëve ka dëshmitar! Ashtu siç popujt e mëparshëm do të dalin me të dërguarit e tyre para Gjykatësit të Drejtë në Ditën e Kiametit, edhe ne, umeti i fundit, që do të dëshmojmë kundër të tjerëve dhe do të jemi dëshmitarë të fjalës përfundimtare të Allahut, do të përballemi me gjykimin dhe me dëshmitarin që do të dëshmojë kundër nesh.

“… dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju…” (El-Bekare, 134).

Të vetëdijshëm dhe të bindur se para Gjykatësit të Drejtë dhe të Gjithëdijshëm do të përballemi me dëshmitarin që do të dëshmojë kundër nesh, shtrojmë pyetjen:

Si do ta arsyetosh para Zotit të Gjithëfuqishëm dhe të Dërguarit të Tij mosbesimin tënd, kur dëshmitë për ekzistencën e Allahut gjenden kudo rreth teje, madje edhe brenda teje? Këto dëshmi janë të pranishme njësoj për të gjithë njerëzit, por disa prej tyre kanë sy e nuk shohin me ta, kanë veshë e nuk dëgjojnë me ta dhe kanë zemër, por nuk kuptojnë me të.

Si do ta arsyetosh para të Gjithëfuqishmit dhe të Dërguarit të Tij të dashur padijen tënde rreth fesë, kur Ai, i Lartësuari, e ka bërë Shpalljen të lehtë për t’u kuptuar? Mjafton që njeriu të mendojë. Është e lehtë të kuptosh se çfarë është hallall e çfarë haram, si dhe të kuptosh se kjo është përcaktuar për të mirën e njeriut, për të mirën tënde.

Si do ta arsyetosh në Gjykimin e Ditës së Kiametit faktin që nuk je falur, kur në Kuranin që ke në shtëpi, në Kuranët që kemi në shtëpitë tona, Allahu i Madhërishëm thotë qartë se namazi është: “Vërtet, namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar.” (En-Nisa, 103).

Ku e ke arsyetimin për faktin që nuk i dërgon fëmijët në mekteb dhe nuk ua mëson bazat e fesë sonë, kur të ka arritur paralajmërimi që thotë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri!” (Et-Tahrim, 6).

Si mund ta arsyetosh qëndrimin tënd të pakujdesshëm ndaj prindërve dhe mosbindjen ndaj tyre, kur në Librin që e lexojmë, që e mësojmë dhe që e përfundojmë së bashku gjatë Ramazanit, Allahu i Lartësuar urdhëron: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra, 24).

Si do ta arsyetosh papërgjegjësinë ndaj bashkësisë dhe ndaj së mirës sonë të përbashkët? Allahu i Lartësuar na e tregon rrugën nëpër të cilën duhet të ecim, në mënyrë që të kemi sukses si bashkësi dhe si popull: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!”  (Alu Imran, 103).

Allahu i Madhërishëm na urdhëron që të mos i përvetësojmë padrejtësisht pasurinë e tjetrit, si dhe të largohemi nga alkooli dhe bixhozi.

Si do ta arsyetojmë pjesëmarrjen tonë në korrupsion dhe në shkatërrimin e shoqërisë, kur në Shpalljen që na ka arritur, Allahu i Lartësuar kërkon shprehimisht prej nesh që të mos e përvetësojmë pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar?

Si do ta arsyetojmë përhapjen kaq të madhe të bixhozit dhe të veseve të tjera në shoqërinë tonë, kur detyra kryesore e çdo muslimani është që të luftojë kundër së keqes dhe të urdhërojë për të mirë? Nuk ka shpëtim për ata që nuk veprojnë kështu.

Më kot do të arsyetohet populli i Nuhut, sepse dëshmitarët do ta thonë të vërtetën për ta para Zotit të botëve. Askush nuk do të mund ta arsyetojë mëkatin e bërë, sepse i Dërguari i fundit do të dëshmojë se na e ka përcjellë paralajmërimin dhe thirrjen drejt shpëtimit.

O Allahu i Lartësuar, na bëj të vetëdijshëm për rëndësinë e Fjalës Sate, e cila i ka prekur veshët tanë, dhe na ndihmo që ajo të zërë vend në zemrat tona, në mënyrë që të qëndrojmë larg mëkateve dhe të njihemi sipas veprave tona të mira! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK