Connect with us

Religjion

Devotshmëria nuk është varfëri, dobësi dhe tërheqje nga jeta

Publikuar

më

Shejh Selman el-Avde

Një nga thëniet që Sherif Ridaja, në veprën Nehxhul-belaga, si edhe të tjerë, ia kanë atribuar Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, është: “Dynjaja dhe ahireti janë dy rivale; kush e do njërën, do ta urrejë tjetrën.”

Ky kuptim shpesh përcillet në vaze tradicionale pa ndonjë mendim më të thellë, ndërsa të pakujdesshmit dhe ata që i janë dorëzuar pasivitetit e pranojnë atë si ngushëllim për atë që kanë humbur nga të mirat e kësaj bote, nga suksesi dhe realizimi i interesave të tyre. Jo rrallë, këtë e fshehin duke e quajtur zuhd, kënaqësi me atë që posedojnë apo me ndonjë shprehje tjetër lavdëruese.

Një kuptim i tillë e lë njeriun të përçarë ndërmjet dynjasë dhe ahiretit, sikur ndërmjet tyre medoemos të ekzistojë konflikt dhe sikur njeriu të jetë i detyruar ta zgjedhë njërën në dëm të tjetrës.

Ndër transmetimet që përmenden shpesh në këtë kuptim është edhe ai: “Dynjaja është e mallkuar dhe e mallkuar është gjithçka që gjendet në të, përveç përmendjes së Allahut dhe asaj që lidhet me të, dijetarit dhe atij që mëson.” Këtë transmetim e shënojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe të tjerë, nga Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, si fjalë që i atribuohen të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Mirëpo, ky transmetim është i dobët (daif), si për sa i përket zinxhirit të transmetuesve (senedit), ashtu edhe për sa i përket vetë tekstit (metnit).

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, nuk ishte prej atyre që mallkonin dhe fyenin, siç përmendet në transmetimin që e shënojnë imamët Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre. Prandaj, nëse ai e ka mallkuar tërë dynjanë dhe gjithçka që gjendet në të, çfarë ka mbetur atëherë që nuk është përfshirë në mallkim? A do ta bënte një gjë të tillë ai që e ndalonte mallkimin madje edhe të kafshës?

Lidhja e devotshmërisë me varfërinë, sëmundjen, dobësinë, tërheqjen nga jeta dhe pakujdesinë – të gjitha këto janë kuptime negative që me kalimin e kohës janë futur në perceptimet e disa njerëzve të mirë. Ndonjëherë, për këto kuptime mbështeteshin në transmetime joautentike, ndërsa herë të tjera në tekste autentike, të cilave u atribuonin kuptime që ato në të vërtetë nuk i përmbajnë.

Çrrënjosja e këtyre kuptimeve është një nga domosdoshmëritë e ripërtëritjes fetare dhe shoqërore. Suksesi në dynja nuk do të thotë dështim në ahiret. Përkundrazi, ata që ishin më të mirët në xhahilijet mund të jenë më të mirët edhe në Islam, nëse e kuptojnë dhe e zbatojnë atë siç duhet.

Suksesi më i madh në dynja janë lumturia, gëzimi dhe qetësia e zemrës, ndërsa pjesa e të devotshmëve në këtë është më e madhja, në përputhje me ajetin: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl, 97).

Edhe pse besimtarët, sikurse njerëzit e tjerë, mund të goditen nga sëmundje trupore ose shpirtërore, si depresioni dhe ankthi, në përgjithësi ata janë më të gatshëm që nga rrethanat e jetës të nxjerrin frymëzim për lumturi dhe kënaqësi.

Edhe pasuria është formë e suksesit në dynja. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Sa e mirë është pasuria e mirë në duart e njeriut të mirë!” (Hadithin e shënon imam Ahmedi).

Sahabët thoshin: “O i Dërguari i Allahut, njerëzit e pasur i morën shpërblimet!” Të pasurit japin sadaka, e kryejnë haxhillëkun, shpenzojnë në rrugën e Allahut dhe marrin pjesë, së bashku me besimtarët e tjerë, në namaz dhe dhikër. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë.

Edhe fëmijët janë nga dhuratat më të bukura të dynjasë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre. Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Et-Tur, 21).

Edhe martesa e suksesshme është mirësi dhe sukses. Ajo është mjet për ruajtjen e dëlirësisë, për mbrojtjen nga mëkatet dhe për rritjen e pasardhësve të mirë e të shëndetshëm. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, intimitetin bashkëshortor e ka bërë formë sadakaje, siç përmendet në hadithin që e shënon imam Muslimi nga Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ky kuptim është i huaj për ata që përpiqen ta ndajnë fenë nga jeta, sepse nuk e kuptojnë natyrën e vërtetë të devotshmërisë.

Autoriteti, fama dhe njohja mund të jenë ndër synimet e dynjasë, por në vetvete janë mjet neutral. Madje, ato mund të bëhen edhe shkak i madh për suksesin e njeriut në ahiret. Lutja e besimtarit i përmban edhe këto fjalë: “… dhe bëna shembull për të mirët!” (El-Furkan, 74).

Dihet se prijësia lidhet me dijen; prijësit janë të njohur nga pasuesit e tyre për shumë hollësi të dijes dhe veprave të tyre, e aq më tepër për personalitetet dhe emrat e tyre. Prandaj, njerëzit më të njohur në histori ishin pikërisht pejgamberët: Muhamedi, Ibrahimi, Musai, Isai dhe të dërguarit e tjerë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të gjithë ata.

T’u bësh mirë njerëzve – përmes bamirësisë, ofrimit të ndihmës, pajtimit të të përçarëve ose përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve – bën pjesë në veprat për të cilat njeriu shpërblehet, madje edhe kur i kryen ato spontanisht, pa ndonjë qëllim të veçantë. Në këtë ka nxitje për njeriun që të nxitojë në bërjen e së mirës dhe të mos ngurrojë kur i jepet mundësia: “… dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin.” (El-Haxh, 77).

Nëse zemra jote zbutet ndaj të varfrit, jetimit, të pafuqishmit ose të pastrehut, ose i del në ndihmë me fjalë, me lot, me pasuri apo me çfarëdo forme tjetër mbështetjeje, kjo është vepër me të cilën i afrohesh Allahut dhe kërkon afërsinë e Tij, e njëkohësisht është një nga shkaqet më të mëdha të suksesit, shpëtimit dhe lumturisë në dynja.

Ndër çështjet interesante për të cilat dijetarët kanë diskutuar është edhe çështja se kush është më i mirë: i pasuri falënderues apo i varfri durimtar, përkatësisht i sëmuri durimtar apo njeriu i shëndetshëm që është falënderues ndaj Allahut. Ibnul-Kajjimi e ka përmendur lidhur me këtë një diskutim të gjerë dhe ka sjellë mendime të ndryshme. Megjithatë, më afër së vërtetës është se përparësia ndërmjet tyre nuk përcaktohet as nga pasuria dhe as nga varfëria, as nga sëmundja dhe as nga shëndeti, por nga devotshmëria, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat, 13).

Bëhet fjalë për dy grupe njerëzish, por edhe për dy gjendje të ndryshme nëpër të cilat mund të kalojë njeriu. I njëjti njeri mund të jetë herë i pasur e herë i varfër; i shëndetshëm e më pas i sëmurë; në bollëk e pastaj në skamje. Ajo që ndryshon janë rrethanat, ndërsa kriteri i vlerës së njeriut mbetet i njëjtë – devotshmëria e tij.

Suksesi në dynja, i cili shfaqet në gjerësinë e mundësive të jetës, në bollëkun e pasurisë, në shëndetin e trupit, në jetën e mirë bashkëshortore dhe familjare, në pasardhësit dhe në suksesin në atë me të cilën merret njeriu, është dhuratë e bukur dhe e çmuar. Njerëzit, sipas natyrës së tyre, synojnë dhe përpiqen ta arrijnë atë. Ndër ta ka prej atyre të cilëve u është mundësuar kjo, por edhe prej atyre të cilëve u është mohuar.

Pra, ekziston lidhje pozitive ndërmjet suksesit në dynja dhe suksesit në ahiret. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. – (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). – Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.” (Junus, 62–64).

Kjo aspak nuk do të thotë se dyert e Xhenetit, mëshirës së Allahut, mirësisë së Tij dhe dhuntive të ahiretit janë të mbyllura para atyre të cilëve u është mohuar kënaqësia me begatitë e dynjasë ose që janë sprovuar me fatkeqësitë e saj. Përkundrazi, dyert e Xhenetit janë të hapura gjerësisht edhe para atyre që vuajnë nga uria dhe skamja, sëmundja, humbja e pasurisë, vështirësitë në familje ose sprovat me pasardhësit, si dhe para të varfërve që nga kënaqësitë e dynjasë nuk kanë përfituar pothuajse asgjë.

Ngushëllimi dhe inkurajimi i tyre më i madh është njohja se në ahiret i pret kënaqësi e përhershme dhe se asnjë vështirësi që e përballojnë me durim në dynja nuk do të jetë e kotë. Pikërisht atyre u janë drejtuar porositë kuranore për durimin: “… Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”(Ez-Zumer, 10).

Besimtari kalon nëpër gjendje të ndryshme të jetës dhe në secilën prej tyre ekziston një formë adhurimi ndaj Allahut që u përshtatet rrethanave të tij.

Këtë e dëshmojnë fjalët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Sa e çuditshme është çështja e besimtarit! Për të gjithmonë është mirë. Një gjendje e tillë nuk është për askënd tjetër përveç besimtarit. Kur është në bollëk, ai e falënderon Allahun dhe kjo është mirë për të; e nëse e godet ndonjë fatkeqësi, ai duron për hir të Allahut dhe përsëri kjo është mirë për të.” (Hadithin e shënon imam Muslimi).

Gara e ndershme në atë që sjell dobi dhe sukses në dynja është e lavdërueshme. Ajo është një nga shkaqet e përmirësimit të jetës, veprimit më të mirë të njerëzve, zhvillimit të shoqërisë, zbulimit të aftësive të fshehura dhe lindjes së ideve dhe krijimtarisë së re. Allahu i Lartësuar ia ka dhënë njeriut mundësinë që ta shfrytëzojë botën që e rrethon dhe ia ka nënshtruar atij atë që gjendet në qiej dhe në Tokë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” (El-Mulk, 15).

Pastaj thotë: “Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (El-Xhathije, 13).

Varfëria, sëmundja, privimi dhe dështimi në jetë, megjithatë, mund të shoqërohen me mosbesim, padrejtësi, pakënaqësi ndaj caktimit të Allahut dhe pafuqishmëri. Atëherë njeriu e humb edhe dynjanë, edhe ahiretin.

Dhe, anasjelltas, pasuria, shëndeti dhe fuqia mund të bëhen shkak i mendjemadhësisë, mosmirënjohjes dhe tejkalimit të dhunshëm të kufijve. Prandaj, një nga lutjet e besimtarit është: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare, 201).

Prandaj, është e nevojshme që t’i rregullojmë sërish përfytyrimet tona për dynjanë dhe ahiretin, t’i korrigjojmë kuptimet e gabuara dhe t’i largojmë paqartësitë që me kalimin e kohës janë grumbulluar. Kështu, në dynja do të jemi ndër ata që garojnë në të mirë, ndërsa në ahiret ndër ata që kanë arritur sukses.

Allahu është Mbrojtësi dhe Ndihmuesi i robërve të Tij të devotshëm.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK