Lajme
BDI: Të publikohet raporti i plotë policor për rastin e dy të rinjve në Saraj

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme publikimin e raportit të plotë policor për ndërhyrjen e 7 tetorit në Saraj, gjatë së cilës, sipas kësaj partie, dy të rinj të moshës 21 dhe 23 vjeç janë rrahur brutalisht nga pjesëtarë të policisë.
Në reagimin e saj, BDI-ja thekson se në opinion janë paraqitur versione kundërthënëse për ngjarjen. Sipas kumtesës, të rinjtë deklarojnë se janë goditur edhe pasi janë neutralizuar dhe prangosur, ndërsa në publik janë paraqitur pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrjen e armës së një zyrtari policor.
Për të sqaruar rrethanat, partia kërkon publikimin e raportit fillestar të patrullës, procesverbaleve dhe dokumentacionit përkatës, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe integritetin e hetimit.
“Kush e ka përpiluar raportin? Çfarë kanë deklaruar policët pjesëmarrës në intervenim? A përputhet versioni i tyre me pamjet që tashmë i ka parë opinioni?”, pyet BDI-ja, duke kërkuar përgjigje zyrtare nga institucionet.
Nga kjo parti theksojnë se, nëse konstatohet tejkalim i autorizimeve policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për secilin zyrtar të përfshirë, pa përjashtim. Sipas BDI-së, qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën, ndërsa policia ka detyrim të japë llogari për përdorimin e forcës.
“Raporti duhet të bëhet publik. Përgjegjësia duhet të jetë e plotë. Asnjë uniformë nuk mund të shërbejë si mbrojtje nga ligji”, thuhet në përfundim të reagimit.














