Lajme
ASH-ja i reagon Shasivarit për provimin e jurisprudencës: Në shkurt e mbroje, në tetor e përgjysmove!

Aleanca për Shqiptarët (ASH) i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivarit, të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga shkurti deri në tetor lidhur me të drejtën e studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe: Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi i tij.
Në reagimin e saj, ASH-ja vë në pikëpyetje ndryshimin e qëndrimit të Shasivarit, duke rikujtuar se në shkurt, kur ishte profesor universitar, ai e kishte cilësuar refuzimin e provimit të jurisprudencës në shqip si shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve. Sipas partisë, Shasivari atëherë argumentonte se qëllimi i provimit është vlerësimi i njohurive juridike dhe jo testimi i njohjes së gjuhës maqedonase.
Megjithatë, ASH-ja thekson se tani, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, Shasivari u ofron studentëve mundësinë që 12 lëndë t’i japin në gjuhën shqipe dhe dy në maqedonisht, duke e paraqitur këtë si arritje.
Partia rikujton gjithashtu premtimin e VLEN-it në maj se zgjidhja do të ishte e plotë dhe afatgjatë, ndërsa pretendon se propozimi aktual përbën një zgjidhje të pjesshme, të cilën studentët e kanë refuzuar.
ASH-ja e ka kritikuar edhe deklaratën e Shasivarit, “Do të flitet shqip o taj”, duke vënë në dukje se propozimi i tij parasheh që një pjesë e provimit të vazhdojë të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Sipas reagimit, studentët nuk kanë kërkuar slogane apo zgjidhje të pjesshme, por mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin tërësisht në gjuhën shqipe.
Në fund, ASH-ja i ka kërkuar ministrit të sqarojë bazën ligjore mbi të cilën mbështetet kufizimi i dy lëndëve praktike në gjuhën shqipe, duke ngritur pikëpyetje se përse kërkohen interpretime dhe konsultime të reja, nëse në shkurt ai vetë e konsideronte këtë të drejtë të garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
“Ligjet nuk ndryshojnë sipas pozitës që mbani. Parimet juridike nuk mund të vlejnë ndryshe për profesorin Shasivari dhe ndryshe për ministrin Shasivari”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia e përmbyll reagimin me thirrjen që ministri të marrë përgjegjësi institucionale dhe të ofrojë zgjidhje konkrete për studentët shqiptarë, duke theksuar se ata presin zgjidhje dhe jo arsyetime apo ndryshim qëndrimesh.












