Religjion
Arti i negocimit dhe aftësia politike e Pejgamberit a.s.

Aftësia politike e treguar nga Muhammedi a.s. meriton të theksohet në mënyrë të veçantë. Në rrethimin e Medines, në luftën e Hendekut (v. 627), ai zhvilloi negociata të fshehta me fisin Gatafan.
Ujejne ibn Hisn el-Fezeriju nga gatafanët hyri në kampin e Muhammedit a.s. nën besë (siguri e garantuar, أَمَانٌ), dhe atij iu ofrua një e treta e të korrave të hurmave të Medinës, në këmbim të tërheqjes së Gatafanit nga rrethimi.
Pasi u përpoq, por pa sukses, të negocionte për një pjesë më të madhe, Ujejne e pranoi marrëveshjen, ndërsa Muhammedi a.s. i kërkoi Osman ibn Affanit ta hartonte atë.
Megjithatë, para se plani të vihej në zbatim, Muhammedi a.s. u konsultua me ensarët e moshuar. Ata mbetën të habitur dhe i kërkuan ta rishqyrtonte vendimin për t’u dhënë pasuri armiqve të tyre të kahershëm. Fisit të Gatafanit nuk do t’i jepnin “asgjë tjetër përveç shpatës!”
Muhammedi a.s., si gjithmonë një njeri i shurās dhe i konsultimit, e pranoi këshillën e tyre dhe e tërhoqi ofertën.
Ujejne u kthye në kampin e tij duarbosh, por tashmë e kuptonte me dhimbje se kurejshët së shpejti do të merrnin vesh për përpjekjen e tij për të ndryshuar anë për shkak të interesit më të madh financiar. Ata do ta përbuznin dhe do ta tallnin Gatafanin për këtë pabesi. Që nga ai çast, nuk mund të mbështeteshin më në asnjë lloj besnikërie të ndërsjellë.
Akoma më keq, Ujejne kishte parë me sytë e tij se sa të vendosur ishin njerëzit e Muhammedit a.s. në luftë. Në vend që të ishin në prag të rrënimit pas javësh rrethimi, siç kishte pritur ai, ata vazhdonin të qëndronin të palëkundur dhe të zjarrtë në luftë.
Gatafani u tërhoq menjëherë pas kësaj.
Resul Mehmedovic
(Islampress)

















