Lajme
Adnan Azizi: BDI nuk mund ta sheh me sy suksesin e Bilall Kasamit, e ka të pamundur kthimin në pushtet në Tetovë

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi në intervistën për Pollogu.news, ka deklaruar se BDI-ja e ka të pamundur të rikthehet në pushtet në Tetovë, duke vlerësuar se udhëheqja e Bilall Kasamit ka sjellë ndryshime të mëdha në infrastrukturë dhe menaxhimin e komunës.
Azizi theksoi se Tetova është marrë në drejtim me 24 milionë euro borxhe, ndërsa sipas tij, transformimi i qytetit përballë kësaj gjendjeje financiare dëshmon aftësinë menaxhuese të kryetarit aktual.
“E gjetëm Tetovën me 24 milionë euro borxh. Nga kjo katrahurë ta kthesh këtë qytet në këtë mënyrë, këtë e bën vetëm Bilall Kasami”, u shpreh Azizi.
Ai tha se me ardhjen e Kasamit në krye të komunës ka ndryshuar infrastruktura e Tetovës, duke përmendur edhe hapjen e trasesë së rrugës Tetovë–Prizren si një nga projektet e rëndësishme.
Duke komentuar kritikat e BDI-së për stadiumin e qytetit, Azizi vuri në dukje atë që e cilësoi si kundërthënie në qëndrimet e kësaj partie.
“I mbani mend akuzat e BDI-së për stadiumin? Ata dolën në konferencë për shtyp me akuzën se Bilalli po e prish stadiumin, ndërsa sot akuzojnë pse po ndërtohet!”, tha deputeti i VLEN-it.
Azizi u ndal edhe te çështja e parcelës pranë zjarrfikësve, duke theksuar se, sipas tij, ekziston studim fizibiliteti dhe është zhvilluar debat publik, ndërsa procesi është transparent.
Ai vlerësoi gjithashtu se Kasami ka punuar për zgjidhjen e problemeve të punëtorëve të zjarrfikësve, të cilët, sipas tij, kanë punuar në kushte të vështira, ndërsa tani po ofrohet zgjidhje përmes ndërtimit të një objekti të ri.
“BDI-ja nuk mund ta shohë me sy suksesin e Bilallit, ndërsa sot akuzon se po vidhet. Bilall Kasami asnjëherë nuk shkel mbi paratë e qytetarëve. Të ardhurat nga tatimet e qytetarëve kthehen në investime”, deklaroi Azizi.
Sipas tij, kritikat e BDI-së janë të pabaza edhe sa i përket mbledhjes së tatimeve, duke pretenduar se për vite me radhë ka pasur mospagesa, ndërsa tani komuna po kërkon që detyrimet të shlyhen.
“Bilall Kasami u drejtohet udhëheqësve të komunës se në rast se çështja e komunës nuk na dhemb të gjithëve, kemi dështuar”, përfundoi Azizi.












