Connect with us

Religjion

A mund ta urrejë muslimani vëllain e tij nga gjaku?

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut, xh.sh., Zotit të të gjitha botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selam mbi të Dërguarin dhe të dashurin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër, ia përkujtoj vetes dhe juve besimin e palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Vëllezër të dashur! Të premten para dy javësh folëm për rëndësinë e të pasurit kujdes se kë ndjekim dhe kujt i besojmë, ndërsa sot do të flasim për atë që fusim në zemrat tona dhe për mënyrën se si ajo që fusim në to mund të ndikojë në marrëdhëniet tona me njerëzit.

Njeriu rrallëherë bën mëkat të madh brenda natës. Zakonisht, kjo fillon shumë më herët. Fillon me një mendim, të cilit njeriu nuk i kushton rëndësi, por e lejon të hyjë në zemrën e tij. Kështu fillojnë urrejtja, grindja, ndërprerja e lidhjeve farefisnore… Kështu fillon edhe armiqësia ndërmjet njerëzve që deri dje ishin të bashkuar.

Në këtë kontekst, Kurani na flet për Jusufin (a.s.) dhe vëllezërit e tij. Ky tregim nuk është thjesht vetëm rrëfim për njerëzit e së kaluarës. Ai është tregim në të cilën mund ta njohim veten, familjen tonë, fqinjët tanë dhe marrëdhëniet tona me njerëzit.

Jusufi (a.s.) ishte veçanërisht i dashur për të atin, Jakubin (a.s.). Vëllezërit e tij e vunë re këtë dhe, pas njëfarë kohe, filluan ta vinin në pikëpyetje dashurinë e babait të tyre. Filluan ta krahasonin veten me Jusufin dhe thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon.” (Jusuf, 8).

Le të shohim edhe një herë se si filloi gjithçka: fillimisht nisën të mendonin, pastaj të vinin në pikëpyetje, të bënin krahasime… “Përse ai e jo ne?” E gjithë kjo ende dukej e parrezikshme. Por pastaj erdhi hapi tjetër dhe ata thanë: “Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju…” (Jusuf, 9).

Nga xhelozia dhe zilia e zakonshme, ata arritën deri te vendimi për ta larguar fizikisht vëllanë e tyre të një gjaku. Dhe këtë e bënë: e larguan nga babai i tyre dhe e hodhën në një pus.

Sa e njohur na duket kjo, apo jo?

Tani, vëllezër të dashur, le ta pyesim veten: Si është e mundur që njeriu t’ia dëshirojë të keqen vëllait të tij të një gjaku? Si është e mundur që vëllai të bëhet armik i vëllait të vet?

Vëllezërit e Jusufit nuk u shndërruan brenda natës në njerëz që do ta hidhnin vëllanë e tyre në pus. Fillimisht erdhi mendimi, pastaj krahasimi, pakënaqësia, xhelozia, zilia, arsyetimi i veprimit të tyre dhe vetëm në fund mëkati i madh dhe padrejtësia.

Fatkeqësisht, një gjë e tillë ndodh edhe sot ndër ne. Madje edhe ndër ne që sot jemi mbledhur këtu dhe qëndrojmë së bashku para Allahut, në këtë saf tonin të xhumasë.

Sa herë kemi dëgjuar që vëllezërit e një gjaku grinden për tokën? Njëri thotë: “Atij i takoi më shumë.” Tjetri thotë: “Unë jam kujdesur më shumë për prindërit.” I treti thotë: “Prindërit më kanë bërë padrejtësi.” Pastaj ndahen, pushojnë së foluri me njëri-tjetrin, fëmijët e tyre nuk shoqërohen më, festat e Bajramit kalojnë pa urime, e gjithë kjo për shkak të një përfitimi të vogël të kësaj bote kalimtare.

Prandaj, sot dëshiroj t’i bëj fillimisht vetes, e pastaj edhe juve, disa pyetje, dhe secili le t’i përgjigjet vetes:

Çfarë na vlen fakti që kemi fituar edhe një arë, nëse për shkak të saj e kemi humbur vëllanë?
Çfarë na vlen shtëpia, nëse në të nuk ka qetësi?
Çfarë na vlejnë disa mijëra euro më shumë, nëse për shkak të tyre nuk ka bereqet?
Çfarë na vlen kjo botë kalimtare, nëse për shkak të saj e kemi humbur ahiretin e përjetshëm?

Se sa e gabuar është kjo rrugë, do ta shohim më së miri nga shembulli i shejtanit të mallkuar, Iblisit.

Në të vërtetë, në fillim Iblisi ishte njëri prej robërve më të përkushtuar të Allahut. Por, kur Allahu e krijoi Ademin dhe e urdhëroi Iblisin që t’i bënte sexhde, Iblisi refuzoi dhe tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta.“ (El-A’raf, 12).

Vëllezër, le ta shohim këtë sëmundje që e njohim kaq mirë: “Unë jam më i mirë se ai.”; “A e di ti se kush jam unë?”

Iblisi nuk tha: “Nuk besoj më në Allahun”, e pastaj Allahu e mallkoi. Jo, ai vazhdonte të besonte se Allahu është Zoti i Vetëm. Por filloi ta krahasonte veten me Ademin. Filloi ta ngrinte veten mbi Ademin. Filloi ta kishte zili Ademin dhe, për këtë arsye, refuzoi t’i bindej Allahut.

Prandaj, vëllezër të dashur, duhet të kemi kujdes për zemrat tona. Sepse zilia nuk i shkatërron vetëm marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, por edhe qetësinë e vetë njeriut. Ajo i shkatërron veprat e mira të njeriut.

Kjo botë është kalimtare, ndërsa përfitimet nga marrëdhëniet e mira farefisnore dhe fqinjësore janë të përjetshme, sepse në hadith thuhet:

“Lidhjet farefisnore janë të varura për Arshin dhe thonë: ‘Kush na mban dhe na ruan, Allahu do ta mbajë lidhjen me të, ndërsa kush na ndërpret, Allahu do ta ndërpresë lidhjen me të.’” “ Nuk do të hyjë në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.”

Vëllezërit e Jusufit bënë vepër të tmerrshme. E hodhën vëllanë e tyre në pus. Por le të shohim se çfarë ndodhi më pas. Allahu nuk e braktisi Jusufin (a.s.), por i dha atë që vëllezërit e tij as që mund ta përfytyronin. Jusufi u bë sundimtar, ndërsa vëllezërit e tij erdhën për t’i kërkuar ushqim.

Dhe, në vend që të hakmerrej ndaj tyre, ndonëse kishte pushtet, pozitë dhe fuqi…

Jusufi tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92). Pastaj u dha atë që dëshironin, madje edhe më shumë.

Vëllezër, nëse i ruajmë lidhjet tona farefisnore dhe fqinjësore, Allahu nuk do të na braktisë as neve. Ndoshta tani na është bërë padrejtësi, por Allahu, nëse jemi në të drejtën tonë, me siguri do të na e kompensojë në një mënyrë ose në një tjetër.

Prandaj, le t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet tona të vogla të kësaj bote, të mos e kemi zili njëri-tjetrin dhe t’ia dëshirojmë vëllait tonë musliman atë që ia dëshirojmë vetes.

Ne nuk do të kemi më pak nëse vëllai ynë ka më shumë, e as nuk do të jemi më të lumtur nëse atij i shkon më keq. Përkundrazi, kur t’ia dëshirojmë të mirën njëri-tjetrit, do të gëzohemi për lumturinë e tjetrit sikur të ishte lumturia jonë, dhe të gjithëve do të na jetë më lehtë dhe më bukur të jetojmë.

Sepse kjo botë është tepër e shkurtër që ta shpenzojmë me zili, zemërim dhe grindje, ndërsa përgjegjësinë për llogarinë në ahiret secili prej nesh e bart për vete.

Prandaj, le të jetë lutja jonë përmbyllëse e ngjashme me veprimin e Jusufit:

O Allah, fali vëllezërit tanë, miqtë tanë dhe fqinjët tanë! Shtoja pasurinë e tyre! Jepu qetësi në shtëpitë e tyre, lumturi fëmijëve të tyre dhe sukses në punët e tyre!

O Allah, të lutemi, jepu çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër! Amin!

Burimi: https://dzematdonjevukovije.org//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK