Lajme
19-vjeçari nga Maqedonia e Veriut në paraburgim në Bullgari, iu gjetën euro të falsifikuara në vlerë prej 98.500 eurosh

Gjykata e Qarkut në Haskovë të Bullgarisë ka vendosur ta mbajë në paraburgim 19-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut, Hamza Dardhishta, i cili më 19 tetor u arrestua në pikën kufitare “Kapitan Andreevo” me 685 kartëmonedha të falsifikuara euro, me vlerë nominale prej gjithsej 98.500 eurosh.
Sipas mediave bullgare, te i riu nga Maqedonia e Veriut u gjetën 300 kartëmonedha nga 200 euro dhe 385 kartëmonedha nga 100 euro, të qepura në astarin e xhaketës së tij, raporton 4news.mk.
Darlishta, i cili është nxënës me korrespondencë në Shkup dhe punon si montues i kamerave të mbikëqyrjes me video, para organeve hetimore ka deklaruar se nuk e dinte që paratë ishin të falsifikuara.
Sipas Prokurorisë, ai kishte hyrë për një kohë të shkurtër në Turqi, ku kishte veshur xhaketën në astarin e së cilës ishin fshehur kartëmonedhat. Gjatë kontrollit kufitar, ai kishte shfaqur shenja shqetësimi, ishte mbështetur në ulësen e automjetit dhe kishte shikuar drejt tavanit të tij.
Pas arrestimit, gjatë kontrollit të telefonit të tij celular, hetuesit kanë gjetur një numër të madh fotografish të kartëmonedhave të ngjashme të falsifikuara, të realizuara më herët gjatë këtij viti. Në disa prej fotografive shfaqej edhe vetë i dyshuari.
Avokati i tij ka kërkuar një masë më të butë, përkatësisht lirimin me garanci financiare, duke u thirrur në moshën e re të të dyshuarit dhe faktin se ai nuk ishte dënuar më parë.
Megjithatë, gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur ta mbajë në paraburgim, duke vlerësuar se ekziston dyshim i bazuar se ai e ka kryer veprën për të cilën akuzohet, si dhe rrezik për arratisje nëse lirohet.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit në Plovdiv.
Nëse shpallet fajtor, 19-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut e pret një dënim me burg prej dy deri në tetë vjet.












