Connect with us

Lajme

VLEN hap zyrën e deputetit në Kërçovë, Adili Emini: Një derë e hapur për komunikim me qytetarët

Publikuar

Deputetja e VLEN-it, Valbona Adili-Emini, ka njoftuar për hapjen e zyrës për qytetarët në Kërçovë e cila do të shërbejë si hapësirë për komunikim të drejtpërdrejtë me banorët.

Gjatë hapjes, Adili-Emini tha se kjo zyrë synon të krijojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi, ku qytetarët do të mund të takohen me të, të paraqesin shqetësimet dhe kërkesat e tyre, si dhe të ndajnë idetë për zhvillimin e Kërçovës.

“Përfaqësimi i qytetarëve nuk kufizohet vetëm në punën në Kuvend. Ai kërkon të jesh i pranishëm, të dëgjosh dhe të komunikosh vazhdimisht me njerëzit që të kanë besuar përfaqësimin e tyre”, u shpreh Adili-Emini.

Në hapjen e zyrës morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, si dhe kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandër Jovanoski.

Deputetja falënderoi Gashin dhe Jovanoskin për praninë dhe mbështetjen, si dhe qytetarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët që morën pjesë në këtë aktivitet.

“Kjo zyrë është një adresë e re për qytetarët e Kërçovës, një derë e hapur për komunikim, bashkëpunim dhe përgjegjësi”, theksoi Adili-Emini.

NA NDIQ NË FACEBOOK