Maqedoni
Tronditje: Hetim në 32 lokacione në Shkup – kontrolle edhe brenda MPB-së!

Prokuroria Publike e Shkupit ka nisur një aksion të gjerë në 32 lokacione në Shkup, ku po kryhen kontrolle te persona, në banesa, si dhe në hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Aksioni zhvillohet nën dyshimet për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, ndërsa me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake po ndërmerren edhe veprime të tjera për sigurimin e provave.
Sipas informacioneve të publikuara më herët, hetimi lidhet me dyshime për lëshim të paligjshëm dhe falsifikim të patentë-shoferëve për kategoritë C dhe D, për kamionë dhe autobusë.
Prokuroria dhe policia synojnë sigurimin e provave materiale dhe zbardhjen e plotë të rastit, i cili vjen pas raportimeve për një skandal të dyshuar korruptiv në MPB, ku kategoritë C dhe D dyshohet se u janë shtuar në patentë persona që nuk kishin ndjekur trajnim dhe nuk kishin dhënë provim.


















