Connect with us

Religjion

Statusi i akikës në Islam sipas dijetarëve hanefi

Publikuar

Në lidhje me therrjen e kurbanit apo akikës me rastin e lindjes së fëmijës, dijetarët kanë qëndrime të ndryshme. Disa thonë është se është vaxhib, disa të tjerë thonë se është sunet, ndërsa disa të tjerër, përfshirë dijetarët e medh’hebit hanefi, thonë se është mustehab. Madje ka prej tyre që thonë se nuk është as sunet.

Ebu Rafi’u r.a. transmeton se, kur hazreti Fatimja e lindi hazreti Hasanin, dëshironte të bënte akika për të. Pejgamberi a.s. i tha: “Mos bëj akika për të; por rruajani kokën dhe jep sadaka në argjend, në peshën e flokëve të tij, për të varfrit ose për banorët e Suffes (Ehlu’s-Suffe).” (Ahmedi në Musnedin e tij).

Gjithashtu, transmetohet:

“Zekati e ka shfuqizuar çdo lëmoshë tjetër që ishte caktuar në Kur’an; larja për shkak të xhunubllëkut e ka shfuqizuar çdo larje tjetër; agjërimi i Ramazanit e ka shfuqizuar çdo agjërim tjetër; ndërsa kurbani i Bajramit e ka shfuqizuar çdo therje tjetër.” (Imam Bejhekiu në Sunen el-Kubra)

Dijetarët hanefijë e kanë kuptuar këtë hadith, si dhe disa transmetime të tjera, si dëshmi se dispozita e akikës është shfuqizuar dhe se ajo nuk është sunet.

Megjithatë, ndër dijetarët e medhhebit hanefij ka pasur njëfarë mospajtimi lidhur me statusin juridik të akikës:

  • Disa kanë thënë se ajo është mekruh, pra vepër e papëlqyer.
  • Të tjerë kanë anuar nga mendimi se ajo është mubah, pra e lejuar, por jo sunet.

Në librin e fetvave “El-Fetava el-Hindijje” përmendet:

Muhammedi Esh-Shejbani,  Allahu e mëshiroftë, ka thënë lidhur me akikën: “Kush dëshiron, le ta bëjë; e kush nuk dëshiron, le të mos e bëjë.’ Kjo tregon se ajo është e lejuar, gjë që përjashton të qenit e saj sunet. Ndërsa në veprën “El-Xhamiu’s-Sagir” është përmendur: ‘Nuk bëhet akika as për djalin dhe as për vajzën.’ Kjo është shenjë e papëlqyeshmërisë së saj, siç përmendet në Bedai’ në kapitullin e kurbanit.” (El-Fetava el-Hindijje.)

Imam Ebu Bekr el-Kasani thotë:

«Kjo tregon papëlqyeshmërinë e saj, sepse akika më herët konsiderohej një vepër e lavdërueshme; e kur kjo vlerë e saj u shfuqizua, nuk mbeti tjetër veçse papëlqyeshmëria.” (Bedai’u’s-Sanai’ fi Tertibi’sh-Sherai’.)

Përfundim

Sipas këtij interpretimi, ky është qëndrimi në medhhebin hanefij: akika nuk konsiderohet sunet. Disa dijetarë të hershëm hanefijë e kanë konsideruar atë të lejuar, ndërsa disa të tjerë të papëlqyer.

Një person mund të ndjekë një medhheb tjetër dhe të therë akika duke e konsideruar atë sunet, me kusht që të respektojë rregullat e marrjes së lehtësimeve fetare dhe të mos përziejë qëndrime juridike në mënyrë të paarsyeshme.

Sipas shumicës së dijetarëve bashkëkohorë hanefijë, therja e një kafshe për të porsalindurin konsiderohet mustehab, pra vepër e pëlqyeshme dhe e lavdërueshme, por jo sunet. Ajo shprehet si falënderim ndaj Allahut për begatinë e fëmijës, ndërsa mishi i ndarë për të tjerët konsiderohet sadaka.

Allahu i Lartësuar e di më së miri.

Redaksia: Islampress.ch

NA NDIQ NË FACEBOOK