Shqipëri
“Shpifje ndaj IDF-së”, Netanyahu kërkon t’i heqë shtetësinë izraelite krijuesve të filmit “NAZA”

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi të mërkurën se planifikon të “heqë shtetësinë e atyre që shpifin kundër ushtrisë izraelite”, si përgjigje ndaj dokumentarit “NAZA”, i cili pasqyron dëshmitë e ushtarëve të IDF-së mbi vrasjen e civilëve në Gaza, shkruan Haaretz.
Kryeministri tha se do të paraqesë dy projektligje: “I pari do të hiqte shtetësinë e kujtdo që shpif kundër ushtarëve të IDF-së, ndërsa i dyti do t’i godiste ata në xhep, duke rritur njëzetfish shumën e dëmshpërblimit për të cilën mund të paditen për shpifje,” tha Netanyahu.
“Pres që çdo fraksion i Knesset-it që deklaron se mbështet idenë sioniste, t’i mbështesë të dyja këto projektligje,” tha ai.
Gjithashtu të mërkurën, Ministri i Kulturës dhe Sportit, Miki Zohar, deklaroi se i ka kërkuar “Shin Bet”-it – agjencisë izraelite të inteligjencës së brendshme të hetojë burimet e informacionit, dëshmitë dhe materialet e tjera të përdorura në filmin “NAZA”.
Zohar, një ministër nga partia Likud, tha se ky hap pason kërkesën e tij të mëparshme zyrtare drejtuar autoriteteve izraelite të emigracionit për të shqyrtuar mundësinë e heqjes së shtetësisë së krijuesve të filmit, Abraham dhe Szor, duke përmendur si arsye të mundshme “tradhtinë”.
“NAZA” fitoi Çmimin e Veçantë të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia të shtunën dhe, sipas përmbledhjes zyrtare të filmit, zbulon “sistemet që qëndrojnë pas vrasjes masive të planifikuar nga Izraeli të civilëve palestinezë në Gaza” në pasojat e sulmeve të 7 tetorit.



















