Lajme
Shkupi pajiset me automjete të reja për higjienën komunale

Shkup – Problemi i mbeturinave, kontejnerëve të stërmbushur dhe higjienës publike në Shkup, sipas drejtuesve të qytetit, po merr një zgjidhje konkrete me ardhjen e automjeteve të reja për higjienën komunale.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrin e ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, promovuan automjetet e reja komunale, të siguruara përmes një projekti të realizuar me mbështetjen e Bankës Botërore.
Sipas kryetarit të Shkupit, makineria e re do të forcojë ndjeshëm kapacitetet për mirëmbajtjen e higjienës publike dhe do të mundësojë mbledhje më të shpejtë, më efikase dhe më të rregullt të mbeturinave, duke kontribuar në rrugë më të pastra dhe një mjedis më të shëndetshëm.
“Që nga dita e parë kur mora detyrën si kryetar komune, premtova se papastërtia, kontejnerët e mbushur dhe rrugët e lëna pas dore do të bëheshin pjesë e së kaluarës. Sot fjala bëhet vepër”, thuhet në deklaratën e tij.
Paralelisht, Qyteti i Shkupit po siguron me mjete të veta edhe automjete të tjera të specializuara, ndërsa procedura për furnizimin me më shumë se 3.300 kontejnerë të rinj ndodhet në fazën përfundimtare.
Kryetari theksoi se higjiena e Shkupit nuk duhet të jetë një aksion i përkohshëm, por një detyrim i përditshëm ndaj qytetarëve.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për kryeministrin Mickoski për mbështetjen ndaj pushtetit lokal, si dhe për zëvendëskryeministrin Nikoloski dhe Bankën Botërore për kontributin në realizimin e projektit.
“Me makineri të rinovuar, pajisje të reja dhe organizim më të mirë, i japim fund problemit shumëvjeçar me mbeturinat. Fjala është fjalë – Shkupin po e bëjmë qytet të pastër, dinjitoz dhe sërish krenar”, thuhet në deklaratë.


















