Lajme
Shkolla në Trebosh nis vitin e ri e rinovuar, Blerim Sejdiu: Fëmijët janë e ardhmja jonë

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke theksuar se nxënësit e Treboshit këtë vit i kanë nisur mësimet në ambiente të rinovuara, transmeton ZYRTARE.
Sejdiu, së bashku me nxënës, mësimdhënës dhe prindër, mori pjesë në shënimin e fillimit të vitit shkollor në SHFK „Fan Noli“ në Trebosh.
Sipas tij, ky fillim i vitit shkollor është i veçantë për shkak të përfundimit të rinovimit të shkollës, e cila tashmë ofron ambiente më të sigurta dhe më të përshtatshme për mësim dhe zhvillim të nxënësve.
Sejdiu ka shprehur falënderim të veçantë për drejtoreshën e shkollës për përkushtimin dhe angazhimin gjatë realizimit të projektit.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë, ndërsa investimi në ta është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë”, ka shkruar Sejdiu.
Në fund, ai u ka uruar të gjithë nxënësve të Komunës së Zhelinës një vit të suksesshëm shkollor, me dije, suksese dhe momente të bukura në ambientet e rinovuara.



















