Connect with us

Lajme

Shasivari: Demkoracia ndërtohet edhe me dije

Publikuar

Demokracia nuk ndërtohet vetëm përmes zgjedhjeve, por edhe përmes dijes, fakteve, argumenteve dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve, theksoi Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, në tryezën e rrumbullakët me temë “Përparimi i funksionit hulumtues-analitik në partitë politike-përvoja juridike dhe komparative”.

Në këtë aktivitet u diskutua për rolin e qendrave hulumtuese dhe analitike të partive politike në krijimin e politikave cilësore, përmirësimin e debatit publik dhe forcimin e proceseve demokratike.

“Kur flasim për qendrat hulumtuese dhe analitike të partive politike, flasim për cilësinë e politikave, debatit publik dhe demokracisë. Politika moderne duhet të mbështetet në dije, të dhëna, hulumtime dhe argumente”, theksoi Shasivari.
Ministri nënvizoi se këto qendra nuk duhet të jenë vetëm përmbushje formale e një detyrimi ligjor, por hapësira profesionale ku idetë politike përballen me faktet, hulumtimet dhe nevojat reale të qytetarëve.

“Nëse financohen me mjete publike, ato duhet të krijojnë vlerë publike-përmes hulumtimeve, analizave, vlerësimeve të politikave, rekomandimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale”, tha Shasivari.

Ai theksoi edhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërpartiak në fushën e hulumtimeve dhe dijes, pavarësisht dallimeve politike.

“Mund të ketë dallime politike, por mund të ketë edhe pajtim rreth një parimi themelor: vendimet e mira ndërtohen mbi të dhëna të sakta dhe analiza serioze”, theksoi ministri.

Sipas Shasivarit, përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë është të sigurojë një kornizë të qartë dhe funksionale ligjore, por vetëm ligji nuk është i mjaftueshëm për të krijuar politika cilësore.
“Ligji vendos kornizën-dija krijon vlerën”, porositi Shasivari.

Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), i përfaqësuar nga drejtorja Joana Kozma, në kuadër të programit për mbështetjen e zgjedhjeve, të financuar nga Zvicra, e përfaqësuar nga ambasadori Kristof Zomer.

Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike dhe ekspertë relevantë, të cilët shkëmbyen përvoja dhe qëndrime mbi aspektet juridike dhe komparative të funksionit hulumtues-analitik në partitë politike.

NA NDIQ NË FACEBOOK