Connect with us

Religjion

Sexhdeja – shprehja më e lartë e lirisë njerëzore

Publikuar

Shkruan: Abdusamed Nasuf Bushatliq

Sexhdeja është për qindra miliona muslimanë në botën islame pjesë përbërëse e ibadetit të tyre të përditshëm.

Ajo është ndërthurur aq thellë në jetën e tyre, saqë shumë prej tyre, për shkak të takimit të vazhdueshëm me të që nga fëmijëria e hershme, as nuk mendojnë për simbolikën dhe domethënien e saj të thellë.

Por, për njeriun bashkëkohor perëndimor, veçanërisht për atë që është formuar nga një botëkuptim ateist ose sekular, sexhdeja shpesh përfaqëson diçka të vështirë për t’u kuptuar dhe të huaj. Në një kulturë që lirinë e njeriut shpesh e përkufizon përmes pavarësisë nga çdo realitet më i lartë, akti i vendosjes së fytyrës në tokë mund të duket si shprehje dobësie, nënshtrimi apo edhe humbje e dinjitetit njerëzor.

Mirëpo, pikërisht në botën perëndimore sexhdeja ka filluar të marrë një kuptim krejtësisht tjetër. Për shumë njerëz që e kanë njohur Islamin pa barrën e traditës së trashëguar, ajo është bërë simbol i autenticitetit shpirtëror, një lloj rebelimi kundër pikëpamjes materialiste për jetën dhe një shprehje e fuqishme e identitetit të muslimanit, i cili nuk pranon një qëndrim poshtërues ndaj fesë dhe vlerave të veta. Pikërisht për këtë arsye nuk është e rastësishme që disa prej meditimeve më të bukura për sexhden kanë ardhur nga njerëz që e kanë pranuar Islamin pas një kërkimi të gjatë për të vërtetën.

Ndër ta, një vend të veçantë zë mendimtari amerikan Xhefri Lang, dikur ateist dhe profesor i matematikës, i cili e pranoi Islamin. Ai e ka përshkruar sexhden në një mënyrë aq të thellë dhe frymëzuese, saqë edhe muslimanin e shtyn të ndalet dhe të mendojë sërish për kuptimin e saj të vërtetë, vendin që ajo zë në Islam dhe lidhjen e thellë që ajo vendos ndërmjet njeriut dhe Allahut të Lartësuar.

Në librin e tij Even Angels Ask: A Journey to Islam in America (Edhe melekët pyesin: Një udhëtim drejt Islamit në Amerikë), Xhefri Lang përshkruan sexhden e tij të parë, çastin në të cilin nuk u përball vetëm me sexhden, por edhe me vetveten, me krenarinë, frikën dhe paragjykimet e tij.

Ja një pjesë nga dëshmia e tij: “E ndjeva se zemra po më rrihte fort dhe emocionet po bëheshin gjithnjë e më të fuqishme kur, pasi e thashë përsëri ‘Allahu ekber’, arrita te momenti i sexhdes.

U ngurtësova në vend, duke parë hapësirën përpara meje, ku duhej të ulesha në gjunjë e duar dhe ta vendosja fytyrën në tokë. Nuk mundesha.

Nuk mund ta ulja veten në tokë. Nuk mund ta pranoja që ta përulja fytyrën time duke e prekur tokën, si një rob që i nënshtrohet zotërisë së tij. Më dukej sikur këmbët i kisha të lidhura me pranga dhe nuk mund t’i përkulesha.

Më pushtoi një ndjenjë e fuqishme turpi dhe parehatie. Në mendjen time i shihja miqtë dhe të njohurit e mi duke më vështruar dhe duke qeshur me mua, ndërsa po e bëja veten qesharak. E imagjinoja talljen dhe habinë e tyre.

Pothuajse mund t’i dëgjoja fjalët e tyre: ‘I gjori Xhefri! Arabët e kanë magjepsur në San Francisko, apo jo?’

Fillova të lutem: ‘Të lutem… të lutem, më ndihmo në këtë.’

Mora frymë thellë dhe e detyrova veten të përkulesha.

Tani isha mbi duar dhe gjunjë. Për disa çaste hezitova, pastaj e vendosa fytyrën në sexhde. E zbraza mendjen nga të gjitha mendimet dhe tri herë thashë: ‘Subhane Rabbijel-E’ala.’

‘Allahu ekber.’

E thashë këtë dhe u ngrita nga sexhdeja, duke u ulur mbi thembra. Përpiqesha ta ruaja përqendrimin e plotë, duke mos lejuar asgjë të ma shpërqendronte vëmendjen.

‘Allahu ekber.’

Përsëri e vendosa fytyrën në tokë. Ndërsa hunda ime prekte dyshemenë, i përsëritja fjalët ‘Subhane Rabbijel-E’ala’ pothuajse mekanikisht. Isha i vendosur ta përfundoja namazin, pavarësisht gjithçkaje.

‘Allahu ekber.’

U ngrita dhe i thashë vetes: ‘Kanë mbetur edhe tri rekate.’

Deri në fund të namazit zhvillova një luftë të vështirë me ndjenjat dhe krenarinë time. Por çdo lëvizje e mëtejshme bëhej më e lehtë, derisa në sexhden e fundit ndjeva një qetësi pothuajse të plotë.

Pastaj e lexova Ettehijatin në uljen e fundit dhe dhashë selam në anën e djathtë dhe të majtë.

Plotësisht i rraskapitur, mbeta ulur në dysheme dhe mendova për luftën e brendshme nëpër të cilën sapo kisha kaluar. Ndihesha i turpëruar që kisha luftuar aq shumë me veten për ta përfunduar namazin.

Me kokën të përkulur, u luta: ‘O Zoti im, më fal mendjemadhësinë dhe marrëzinë time. Kam ardhur nga larg, ndërsa përpara meje është ende një rrugë e gjatë.’

Atëherë ndjeva diçka që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë dhe që e kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë.

Më përfshiu një ndjenjë që mund ta përshkruaj vetëm si një valë freskie, sikur vinte nga thellësia e kraharorit tim. Ishte aq e fuqishme, saqë në fillim u drodha. Por nuk ishte vetëm një ndjesi trupore. Ajo preku edhe emocionet e mia në një mënyrë të pazakontë. Ishte sikur mëshira ishte shndërruar në diçka të prekshme, sikur më kishte mbështjellë dhe kishte depërtuar në qenien time.

Atëherë fillova të qaja dhe nuk e dija përse. Lotët filluan të rridhnin vetvetiu nëpër fytyrën time dhe nisa të dënesja. Sa më shumë qaja, aq më fuqishëm ndieja se një forcë mbinatyrore e mirësisë dhe mëshirës po më përqafonte. Nuk qaja për shkak të ndjenjës së fajit, ndonëse kisha arsye për këtë, as për shkak të turpit apo gëzimit. Ishte sikur të ishte hapur një digë e thellë dhe të kishte çliruar shtresa të mëdha frike dhe zemërimi që i kisha mbajtur gjatë brenda vetes.”

Sexhdeja nuk është shprehje e poshtërimit të njeriut, por kulmi i çlirimit të tij. Në të, njeriu e pranon se është rob vetëm i Allahut të Lartësuar dhe, në këtë mënyrë, çlirohet nga robërimi ndaj çdo gjëje tjetër – ndaj njerëzve, ideologjive, epsheve dhe forcave materiale.

Prandaj, sexhdeja është shprehja më e lartë e lirisë njerëzore.

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK