Shqipëri
Raporti, Rusia po përdor koreano-veriorët për montimin e dronëve luftarakë

Rusia po përdor gjithnjë e më shumë qytetarë të Koresë së Veriut për të montuar dronë luftarakë për luftën kundër Ukrainës, duke shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe duke i siguruar Phenianit një burim të rëndësishëm valutë të huaj, sipas një raporti të publikuar më 16 shtator nga Ekipi Multilateral për Monitorimin e Sanksioneve (MSMT).
Gjatë vitit të kaluar, punëtorët emigrantë verior-koreanë jashtë vendit kanë gjeneruar deri në 800 milionë dollarë për qeverinë e Kim Jong Un-it, të cilat janë përdorur për financimin e programeve bërthamore dhe raketore në shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet në raport.
Raporti vlerëson se deri në 25.000 verior-koreanë janë të punësuar në industrinë e dronëve të Rusisë, përfshirë objektet në zonën e veçantë ekonomike Alabuga në Tatarstan, ku montohen dronët sulmues të tipit Geran, të modeluar sipas serisë iraniane Shahed. Rusia fiton kështu një rezervë të re punëtorësh për industritë që mbështesin luftën kundër Ukrainës, duke gërryer më tej regjimin e sanksioneve ndaj Phenianit, të cilin Moska dikur e zbatonte vetë.
Sipas MSMT-së, punëtorët verior-koreanë në Rusi shpesh kategorizohen si studentë nën një regjim të veçantë vizash që lejon shmangien e sanksioneve pa shkelje formale.
Një punëtor fiton mesatarisht rreth 7.500 dollarë në vit, nga të cilat pjesa më e madhe konfiskohet nga qeveria e Koresë së Veriut.
Paga mujore në Rusi mund të jetë deri në pesë herë më e lartë se në Kinë, duke e bërë Rusinë destinacion gjithnjë e më tërheqës për Phenianin.
Megjithatë, deri në fund të vitit 2025, në Kinë punonin mes 20.000 dhe 70.000 verior-koreanë, krahasuar me 15.000–30.000 në Rusi.
“Autoritetet e RPDK-së ushtrojnë gjithashtu kontroll ekstrem mbi lëvizjen e punëtorëve dhe kontaktet e tyre me të jashtmit për të parandaluar dezertimet, ndërsa ata që dezertonë rrezikojnë hakmarrje ndaj anëtarëve të familjes që mbeten në Korenë e Veriut,” thuhet në raport.
Më parë ishte raportuar se punëtorët koreano-veriorët në kantieret e ndërtimit në tre qytete ruse punonin deri në 16 orë në ditë, pothuajse pa ditë pushimi, dhe merrnin jo më shumë se 10 dollarë në muaj pas zbritjeve.
Pasaportat e tyre u konfiskoheshin nga përfaqësues të shërbimeve të sigurisë koreane-veriore, ndërsa punëtorët shpesh nuk dinin se kush ishte punëdhënësi i tyre i vërtetë, sepse kompanitë ruse i punësonin në shkelje të sanksioneve të OKB-së.
MSMT, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut, Japoninë dhe tetë vende të tjera, u krijua në vitin 2024 pasi Rusia bllokoi rinovimin e mandatit të panelit të OKB-së që kishte monitoruar zbatimin e sanksioneve ndaj Phenianit për 15 vjet.




















