Lajme
Qamili: Riemërtimi i rrugëve në Tetovë do të bëhet në mënyrë ligjore dhe gjithëpërfshirëse

Zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka njoftuar se procesi i riemërtimit të rrugëve në Tetovë po vazhdon, duke theksuar se synohet një zgjidhje e qëndrueshme, ligjore dhe gjithëpërfshirëse.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qamili bëri të ditur se Grupi i Punës për riemërtimin e rrugëve ka shqyrtuar një grup tjetër emrash, të cilët, sipas tij, pasqyrojnë historinë, identitetin dhe realitetin e Tetovës dhe bashkësive që jetojnë në të.
Ai theksoi se palët janë dakorduar që procesi të ketë prioritet ligjshmërinë dhe qëndrueshmërinë, pa u përfshirë në lojëra politike dhe manovra juridike.
Si kryesues i Grupit të Punës, Qamili u shpreh se do të angazhohet që procesi të përmbyllet me zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke mos lejuar që ai të diktohet nga presioni kohor apo politika ditore.
“Tetova meriton emra dhe simbole dinjitoze”, ka shkruar Qamili./ZYRTARE.net











