Religjion
Pse nuk mund të koncentrohemi në namaz?

Shumë njerëz e fillojnë namazin me qëllim të sinqertë që të jenë të përqendruar dhe të përulur para Allahut, por nuk kalon shumë kohë dhe mendja e tyre fillon të endet. Papritur u kujtohet ndonjë takim, një bisedë e vjetër, një punë e papërfunduar ose ndonjë shqetësim që i rëndon. Kur e përfundojnë namazin, mezi kujtojnë se çfarë kanë lexuar ose sa rekate kanë falur.
Për këtë arsye, shumë besimtarë ndiejnë trishtim, madje ndonjëherë edhe faj, duke menduar se mungesa e përqendrimit është shenjë e dobësisë së imanit. Mirëpo, realiteti është më i ndërlikuar se kaq.
Truri i njeriut, nga natyra e tij, nuk pushon së prodhuari mendime dhe priret të merret me ato gjëra me të cilat njeriu është marrë gjatë ditës. Ai që kalon orë të tëra me telefonin, lajmet, mesazhet e punës dhe përmbajtjet e shkurtra e të shpejta video, e më pas qëndron në namaz, mund të vërejë se mendjes së tij i nevojitet një kohë e caktuar që nga zhurma e jetës së përditshme të kalojë në qetësinë e ibadetit.
Prandaj, përqendrimi dhe përulësia në namaz nuk janë gjendje që vijnë vetvetiu. Ato janë aftësi që kërkojnë përgatitje dhe përpjekje, ashtu siç i nevojitet trupit stërvitja për t’u bërë më i fortë.
Një nga gjërat që ndihmojnë më së shumti në arritjen e përqendrimit në namaz është përgatitja shpirtërore para tij: të shkosh më herët, të marrësh abdes me qetësi dhe me vetëdije të plotë, si dhe të kujtosh se para Kujt do të qëndrosh. Sepse ato pak minuta përfaqësojnë takimin me Allahun, i cili nuk mund të krahasohet me asnjë takim tjetër.
Gjithashtu, kuptimi i domethënies së asaj që lexohet në namaz ndihmon që mendja dhe zemra të ecin në të njëjtin drejtim. Atëherë fjalët nuk mbeten vetëm shprehje të njohura që gjuha i përsërit, por shndërrohen edhe në kuptime që bëhen të gjalla dhe të pranishme në zemrën e njeriut.
Nuk duhet lejuar që shpërqendrimi të bëhet shkak për dorëzim në luftën me vetveten. Sa herë që mendja largohet drejt shqetësimeve të kësaj bote, kthimi i saj përsëri në namaz është pjesë e vetë ibadetit. Shejtani përpiqet vazhdimisht ta pengojë falësin dhe t’ia largojë vëmendjen, sepse namazi me përulësi dhe përqendrim është një nga mjetet më të mëdha për pastrimin e zemrës.
Përulësia në namaz nuk do të thotë që mendja të jetë plotësisht e zbrazët nga çdo mendim. Ajo do të thotë që zemra, sa herë që largohet, të kthehet përsëri tek Allahu dhe që njeriu të këmbëngulë në këtë përpjekje, derisa namazi të bëhet prehje për shpirtin, pasi në fillim ishte luftë me shpërqendrimin e vet.
Dr. Abdul-Kerim Bekkar
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















