Connect with us

Religjion

Problemi nuk është se flet Ruvejbidi, por se ne e dëgjojmë atë

Publikuar

më

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Të dërgojmë salavate dhe selame për të Dërguarin dhe të dashurin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), për shokët e tij, familjen e tij dhe për të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të nderuar! E përkujtoj veten dhe juve për besimin e palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Duke menduar se për çfarë të flas sot në hutbe, fillova t’i lexoj hadithet e të Dërguarit të Allahut (savs), lidhur me gjërat dhe ngjarjet që do të shfaqen para Ditës së Gjykimit. Ndër këto hadithe hasa në një që më bëri veçanërisht përshtypje.

Më bëri përshtypje sepse flet për dukuri të cilat, kur shikojmë rreth nesh, na duken çuditërisht të njohura.

Prandaj, le ta dëgjojmë se çfarë thotë Pejgamberi ynë (savs), në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre (r.a.):

“Para Ditës së Gjykimit do të vijnë vite mashtrimi dhe gënjeshtre, kur gënjeshtarët do të konsiderohen të sinqertë, ndërsa njerëzit e sinqertë do të konsiderohen gënjeshtarë; kur njerëzit do t’u besojnë mashtruesve dhe nuk do t’u besojnë njerëzve të besueshëm; kur do të flasin ruvejbidët.”

Sahabët pyetën: “O i Dërguari i Allahut, po kush është ruvejbidi?”

Pejgamberi (savs) u përgjigj: “Ai është njeriu i pamend (i parëndësishëm, i paaftë), i cili do të dalë dhe do të flasë në emër të interesave të përgjithshme të popullit.”

Vëllezër të dashur, nëse e shikojmë pak më me kujdes këtë hadith, do të shohim se Pejgamberi (savs), nuk flet për një kohë kur nuk do të ketë njerëz të ditur, profesionistë, të sinqertë e të besueshëm. Përkundrazi! Në një kohë të tillë do të ketë njerëz të ditur, profesionistë, të sinqertë dhe të besueshëm, por ata do të jenë në margjinat e shoqërisë, sepse në shoqëri do të jenë çrregulluar kriteret e vlerave.

Dhe për këtë arsye njeriu sot duhet ta pyesë veten:

Vëllezër, a nuk po jetojmë pikërisht ne në kohën për të cilën flet Pejgamberi (savs) në këtë hadith?

A nuk po jetojmë në një kohë kur vlerësohet më shumë një diplomë e blerë sesa ajo që është lagur me gjak dhe djersë?

A nuk po jetojmë në një kohë në të cilën ne dhe fëmijët tanë i vlerësojmë, i duam dhe i respektojmë më shumë disa youtuberë dhe cirkusantë të tjerë të internetit, të cilët nuk kanë bërë asnjë ditë shkollë serioze, sesa profesorët, mjekët, inxhinierët, dijetarët… njerëzit nga të cilët varet jeta jonë?

A nuk po jetojmë në një kohë kur prindi vjen te mësuesi, pacienti te mjeku, njeriu i zakonshëm te dijetari, te inxhinieri… dhe fillon t’u tregojë se si duhet të japin mësim, të shërojnë, të mbajnë ligjërata, të punojnë?

A nuk po jetojmë në një kohë kur njerëzit e ndershëm, të sinqertë, të drejtë dhe profesionistë janë shtyrë në skajet e shoqërisë sonë, ndërsa vendet në majë, pozitat më të mira, i kanë zënë njerëz me të kaluar, moral dhe arsimim të dyshimtë?

A nuk po jetojmë në një kohë kur më parë do t’i besojmë atij që na thotë atë që duam ta dëgjojmë, sesa atij që na thotë atë që duhet ta dëgjojmë?

Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron rreziku më i madh. Sepse, vëllezër, problemi nuk është vetëm se ekzistojnë njerëz që flasin për gjëra që nuk i dinë. Ata kanë ekzistuar gjithmonë. Problemi lind atëherë kur ne fillojmë t’u besojmë njerëzve të tillë.

Ruvejbidi mund të flasë, por ai nuk mund t’ia japë vetes autoritetin. Ne ia japim atë. Ne e ndjekim. Ne e dëgjojmë. Ne i shpërndajmë publikimet e tij. Ne e duartrokasim. Ne i japim hapësirë dhe pozitë.

Muslimani duhet të ketë kriter. Duhet të dijë kujt i beson. Duhet të dijë prej kujt e merr dijen. Duhet ta dallojë dijen nga mendimi, faktin nga supozimi, të vërtetën nga propaganda dhe këshillën nga manipulimi.

Dhe tani vijmë te pyetja më e rëndësishme.

Si ta ruajë besimtari fenë, moralin, kthjelltësinë dhe qëndrueshmërinë e tij në rrugën e së mirës, në një kohë trazirash të përgjithshme?

Përgjigjja në këtë pyetje është:

Nuk ka shpëtim për njeriun, në përgjithësi, e veçanërisht në kohë fitnesh dhe trazirash, përveçse në pasimin e qëndrueshëm të Kuranit dhe Sunetit dhe në kërkimin e strehimit tek Allahu i Lartësuar, përmes adhurimit të sinqertë dhe devotshmërisë.

Sepse, kur njeriu e humb frikën ndaj Allahut, atëherë ai i frikësohet çdo Abdullahu (lexo: njeriut). Kur njeriu e humb mbështetjen tek Allahu, atëherë çdo erë mund t’ia ndryshojë drejtimin.

Sot e tërheq një tregim. Nesër një tjetër. Ndërsa besimtari nuk duhet të jetë njeri të cilin e drejton çdo lajm i ri. Besimtari duhet të ketë drejtimin e tij. Dhe atë drejtim e përcaktojnë Kurani dhe Suneti.

Për të gjitha këto themi se ne, muslimanët, nuk kemi nevojë më të madhe sesa nevojën për adhurim të sinqertë, veçanërisht në kohën e sotme, në kohën e fitneve dhe trazirave, valët e të cilave nga të gjitha anët përplasen mbi anijen e jetës në të cilën lundrojmë.

Dhe, meqë e përmendëm anijen, le ta dëgjojmë tregimin e Imam Gazaliut për një grup njerëzish që udhëtonin me anije.

Kur arritën në një ishull të pasur me gjelbërim, kopshte të mrekullueshme, lule të shumëllojshme dhe fruta të shijshme, kapiteni i anijes vendosi që të pushonin aty. Ai i njoftoi udhëtarët se nisja përsëri do të bëhej në agimin e ditës së dytë dhe i paralajmëroi që të mos largoheshin shumë nga anija, në mënyrë që të mos vonoheshin.

Udhëtarët u ndanë në tri grupe.

Grupi i parë qëndroi pranë anijes. Ata shijonin pamjen e bukur, hanin frutat që i kishin pranë, por sytë i mbanin vazhdimisht të drejtuar nga anija. Kur në mëngjes kapiteni thirri për nisje, ata ishin të parët që hipën në anije.

Grupi i dytë, i mahnitur nga bukuria dhe frutat e ishullit, u largua pak më shumë nga anija, por zemrat i kishin të kthjellëta; kishin frikë se mos anija nisej dhe ata mbeteshin në ishull. Sapo dëgjuan zërin e kapitenit në mëngjes, nxituan të hipnin në anije dhe arritën në çastin e fundit.

Grupi i tretë, i dehur nga bukuria dhe frutat e ishullit, u fut thellë në brendësi të tij, duke harruar plotësisht anijen. Kur kapiteni thirri për nisje, askush prej tyre nuk e dëgjoi thirrjen e tij. Kështu, anija u largua, ndërsa ata mbetën dhe humbën jetën në ishull, së bashku me frutat mashtruese që kishin marrë me vete.

Vëllezër, kjo histori nuk është vetëm historia e disa njerëzve në një ishull. Kjo është historia jonë.

Anija është jeta jonë. Ishulli është dynjaja. Ndërsa thirrja e kapitenit është thirrja që çdo ditë na kujton se udhëtimi ynë është i përkohshëm.

Siç e pamë, grupi i parë dhe grupi i dytë nuk u larguan nga ishulli duarbosh. Edhe ata hëngrën fruta. Edhe ata shijuan bukurinë e tij. Por nuk e harruan anijen.

Pra, problemi nuk është që njeriu të ketë dynja. Problemi është kur dynjaja e ka njeriun.

Prandaj, secili prej nesh duhet ta pyesë sinqerisht veten:

A jam mjaftueshëm pranë anijes që ta dëgjoj thirrjen dhe të hipi në të?

Prandaj, vëllezër, në kohën e trazirave në të cilën po jetojmë dhe të trazirave edhe më të mëdha që po vijnë, le ta ruajmë fenë tonë, ta ruajmë namazin, ta ruajmë zemrën, ta ruajmë gjuhën, ta ruajmë nderin dhe dinjitetin tonë dhe të mos lejojmë që fitnet dhe njerëzit e prishur të kohës sonë të na largojnë nga ajo me të cilën Allahu është i kënaqur.

Një ditë edhe ne do ta dëgjojmë thirrjen. Atëherë nuk do të ketë rëndësi se sa shumë e kemi admiruar ishullin, sa shumë fruta kemi mbledhur dhe sa larg kemi shkuar. Do të ketë rëndësi vetëm një gjë:

A kemi qenë mjaftueshëm pranë anijes për ta dëgjuar thirrjen dhe për të hipur në të?

Ta kujtojmë: Ne jemi vetëm udhëtarë dhe të mos harrojmë se ku po udhëtojmë!

O Zoti ynë, kur të vijë thirrja për nisje, na bëj prej atyre që do ta dëgjojnë, do t’i përgjigjen dhe do të hipin në anijen e shpëtimit që çon drejt kënaqësisë Tënde dhe Xhenetit.

Amin!

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK