Connect with us

Lajme

Prindërit ankohen për orarin në shkollën “Liria” në Jabollçisht të Epërm: Fëmijët e klasës së dytë mësojnë bashkë me të nëntat

Publikuar

më

Një prind nga Jabollçishti i Epërm i është drejtuar mediave me një letër të hapur, përmes së cilës ngre shqetësime lidhur me organizimin e mësimit në Shkollën Fillore Komunale “Liria”, në Komunën e Çashkës.

Naser Murtezani, prind i një nxënësi të kësaj shkolle, pretendon se organizimi i ndërrimeve ka ndryshuar gjatë dy viteve të fundit, duke krijuar, sipas tij, probleme për nxënësit e klasave të ulëta. Sipas letrës së publikuar, gjatë vitit shkollor 2024/2025 nxënësit e klasës së parë kanë filluar mësimin në orën 10:00, jashtë organizimit të zakonshëm me dy ndërrime. Ndërsa këtë vit shkollor, sipas prindit, nxënësit e klasës së dytë, të moshës 7-8 vjeç, e fillojnë mësimin në orën 08:00, në të njëjtin ndërrim me nxënësit e klasës së nëntë.

“Pyesim: A është normale që një fëmijë i klasës së dytë të ndajë tualetet, oborrin, korridoret dhe pushimin me ata të klasës së IX-të? Ku është siguria? Ku është pedagogjia? Ku është interesi më i mirë i fëmijës?”, shkruan Murtezani në letrën e tij.Ai pretendon gjithashtu se prindërit kanë kërkuar takim dhe sqarime nga drejtoria e shkollës, por sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje.Në letër ngrihen edhe pretendime se organizimi aktual i orarit lidhet me kërkesat personale të një mësuesi, i cili, sipas prindit, nuk dëshiron të zhvillojë mësimin në ndërrimin e pasdites. Këto pretendime, megjithatë, nuk janë konfirmuar nga drejtoria e shkollës apo institucionet përgjegjëse.

Murtezani u bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe Komunës së Çashkës që të shqyrtojnë situatën në shkollë.“Ne nuk kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme. Kërkojmë vetëm që fëmijët tanë të kenë një orar normal, si gjithë fëmijët tjerë në Maqedoni”, thuhet në fund të letrës.Deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk është bërë e ditur nëse drejtoria e SHFK “Liria”, Komuna e Çashkës apo Ministria e Arsimit kanë dhënë një përgjigje zyrtare lidhur me shqetësimet e ngritura nga prindërit.

NA NDIQ NË FACEBOOK