Religjion
Përshkrimi i Muhammedit s.a.v.s | Islam Press

Për ta përshkruar Pejgamberin e All-llahut, Muhammedin s.a.v.s. , nuk mjaftojnë vetëm fjalët, sepse fjalët janë të kufizuara në një mënyrë të tillë që ato e kufizojnë atë që përshkruhet. Kjo paraqet vetëm një përpjekje për ta shprehur me fjalë një pjesë të përshkrimit të Pejgamberit s.a.v.s., përmes fjalës së shokëve të tij.
Hind Ibn Ebu Hala’, Resulullahun s.a.v.s. si më poshtë: “Resulullahu, paqja dhe mëshira e All-llahut qofshin mbi të, ishte shpesh i zhytur në mendime, nuk kishte kohë të lirë, nuk i pëlqenin fjalët boshe dhe shumë heshtte. Fjalimet e tij fillonin dhe e mbaronin me elokuencë, me gojë plot dhe jo me nofulla të shtrënguara, fliste shkurt, jo shumë gjatë, në mënyrë shumë të qartë dhe nuk përdorte fjalë boshe. Gjërat me rëndësi për mbamendje i përsëriste nga tri herë që të jetë plotësisht i qartë dhe të mos harrohen dhe të përcillen deri tek ne me një saktësi kirurgjikale. Gjithmonë e falënderonte All-llahun për bekimet e dhuruara dhe nuk ankohej asnjëherë për asgjë. Nuk zemërohej për asgjë që i përkiste atij kur dikush tregohej i vrazhdë dhe i pasjellshëm ndaj tij, ndërsa pa masë zemërohej dhe skuqej në fytyrë nëse tregohej mosrespektim ndaj Fjalës së All-llahut.
Me buzëqeshjen e tij ai gjithmonë e mposhtte të qeshurën, qeshte ëmbël dhe nuk e ngrinte zërin. E ruante gjuhën nga gjërat që nuk kanë të bëjnë me të. Gjithmonë i tubonte shokët e tij dhe asnjëherë nuk bënte përçarje. I respektonte përfaqësuesit e çdo fisi që vinte tek ai. Ruhej nga njerëzit dhe ishte i kujdesshëm ndaj tyre, edhe pse nuk kishte frikë se do t’i bënin keq. I vizitonte shokët e tij. I pëlqente të dinte çfarë ndodhte në mesin e popullit. E përkrahte të mirën dhe gjithmonë nxitonte drejt së mirës dhe bamirësisë. E urrente të keqen dhe e pengonte atë, qoftë me dorë, fjalë ashtu siç na porositi dhe neve. Ishte i matur dhe nuk ishte i paqëndrueshëm.
Për çdo gjë e kishte masën e duhur. Nuk ia mohonte të drejtën atij që e meritonte, por nuk ia jepte atij që nuk e meritonte. Kjo vlente edhe për ata që njerëzit i zgjidhnin nëpër poste. Më së shumti i vlerësonte ata që udhëzonin drejt së mirës. I çmonte ata që ishin bujarë dhe që u ndihmonin të tjerëve dhe gjithmonë e theksonte ndihmesën e nevojtarëve. Nuk rrinte asnjëherë bosh, vazhdimisht bënte dhikr. Nuk qëndronte gjatë askund dhe nuk kishte vend të caktuar për t’u ulur. Ndërsa hynte në ndonjë tubim, ulej në vendin e parë të lirë, dhe këtë ua rekomandonte edhe të tjerëve, nuk shkonte në krye të ndejës ashtu siç veprojnë sot udhëheqësit e popullit. I respektonte të gjithë anëtarët e shoqërisë dhe ua kushtonte kujdesin e duhur, që askush të mos mendonte se ishte më pak i rëndësishëm se tjetri. Kushdo që ulej pranë tij për ndonjë nevojë, e dëgjonte me durim dhe e dëgjonte me kujdes dhe kurrë gjatë bisedës nuk e ndërpriste bashkëbiseduesin. Kushdo që kërkonte diçka prej tij, nëse mundej ia jepte, e nëse nuk kishte, e ngushëllonte me fjalë të bukura apo e porosiste dikë që kishte mundësi ta ndihmojë. Për shkak të kujdesit dhe vëmendjes së tij, njerëzit e konsideronin “baba”, ndërsa ai i quante ata më të afërmit e tij, apo të rinjve u thoshte, biri im. Shkalla e vlerësimi tek ai ishte sipas devotshmërisë, ndërsa kush më mirë se ai e dinte kush është i tillë.
[Islampress.ch]


















