Lajme
Operacioni “Filter”, Mustafa Dauti: Është zbuluar sistemi kompleks për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve

Drejtoria e Doganave ka zhvilluar një aksion të madh të koduar “Filter”, përmes të cilit është zbuluar një sistem i organizuar për kontrabandën e sasive të mëdha të cigareve dhe shmangien e pagesës së detyrimeve ndaj shtetit, në vlerë prej mbi 377 milionë denarësh, ose më shumë se 6 milionë euro.
Sipas zv drejtorit të doganave Mustafa Dauti hetimi është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në bashkëpunim me Byronë për Siguri Publike. Hetimi përfshin raste të ndodhura nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, ku dyshohet se janë përfshirë kompani shpedicionere, transporti dhe importi, persona fizikë, si dhe zyrtarë policorë e doganorë.
Nga shtatë rastet e zbuluara, në tre prej tyre kamionë të ngarkuar me cigare hynin në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare Bogorodicë në procedurë tranziti. Cigaret dyshohet se shkarkoheshin ilegalisht në territorin e vendit, ndërsa kamionët largoheshin bosh përmes Tabanocit. Në sistemin doganor, megjithatë, regjistrohej sikur kamionët kishin dalë nga vendi të ngarkuar me cigare.
Në katër rastet e tjera, hyrja e kamionëve me cigare përmes Bogorodicës nuk ishte evidentuar nga zyrtarët doganorë dhe policorë. Cigaret më pas dyshohet se shkarkoheshin në territorin e vendit pa dokumentacionin përkatës dhe pa u futur në procedurat doganore.
Në të shtatë rastet janë kontrabanduar gjithsej 69.350.000 cigare, të cilat më pas janë futur ilegalisht në qarkullim të lirë.
Më 23 shtator, Drejtoria e Doganave ka paraqitur kallëzime penale ndaj 3 personave juridikë dhe 18 personave fizikë, përfshirë 3 zyrtarë policorë dhe 4 zyrtarë doganorë.
Pas kallëzimeve penale janë lëshuar urdhra për kontrolle në 23 lokacione. Kontrollet janë kryer mëngjesin e 24 shtatorit, ndërsa deri tani janë arrestuar 13 persona: 4 zyrtarë doganorë, 2 zyrtarë policorë, 2 shoferë dhe 5 persona të tjerë.
Rastet përfshijnë dyshime për kontrabandë, mashtrim doganor, punë të pandërgjegjshme në shërbim, keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, mashtrim kompjuterik dhe shmangie të pagesës së akcizës.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa nga Drejtoria e Doganave thonë se numri i personave të përfshirë dhe i kallëzimeve penale mund të rritet.















