Lajme
Në Zhelinë mblidhen kryetarët e komunave të Pollogut, Sejdiu: Optimizimi i rrjetit shkollor të bëhet me analiza të plota

Në Komunën e Zhelinës janë mbledhur kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut, ku është diskutuar procesi i optimizimit të rrjetit shkollor dhe sfidat që mund të sjellë kjo reformë.
Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, tha se komunat e mbështesin çdo reformë që synon përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e efikasitetit në shkolla.
Megjithatë, sipas Sejdiut, procesi i optimizimit duhet të bazohet në analiza të plota, të dhëna reale dhe mbi të gjitha në interesin dhe cilësinë e arsimit për nxënësit.
“Duhet të vlerësohen me kujdes cilësia e mësimit, angazhimi i kuadrit profesional, ndikimi në vendet e punës të mësimdhënësve që do të paraqiten si tepricë teknologjike, kostot reale dhe barra financiare ndaj komunave, si dhe ndikimi në komunitetet lokale, veçanërisht në zonat rurale”, tha Sejdiu.
Ai njoftoi se komunat do t’i drejtohen me shkresë zyrtare Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me kërkesë për ndryshime në Ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm.
Sejdiu theksoi se para çdo vendimi duhet të ketë analiza të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe zgjidhje të qëndrueshme.
“Qëllimi i çdo reforme në arsim duhet të jetë i qartë: më shumë cilësi, më shumë siguri dhe kushte më të mira për fëmijët”, u shpreh ai.
















