Religjion
Ne Mekteb mësohet të shkruhet feja

Në gjuhën arabe, shkolla quhet medrese, ndërsa kjo fjalë vjen nga folja derese – mësoj. Në shkollat tona mësohet të shkruhet, të llogaritet, mësohet për mjedisin ku jetojmë, për të kaluarën tonë dhe historinë, për gjeografinë, vizatimin, muzikën dhe gjuhët e huaja. Mësohet gjithçka që do ta bëjë jetën tonë në këtë dynja më të lehtë dhe do të na aftësojë që nëpër të të ecim të sigurt, duke qenë të dobishëm për bashkësinë dhe atdheun.
Nëpër botën islame, në shkolla mësohet gjithçka që përmendëm, por mësohet edhe për fenë tonë, mësohet si të kryhen ibadetet dhe mësohen dispozitat e fesë. Tek ne nuk është kështu. Ne kemi një shkollë tjetër ku i mësojmë këto, por ajo nuk quhet medrese, por mekteb.
Fjala mekteb vjen nga folja ketebe, që do të thotë të shkruash.
Ne e dimë se fëmijët tanë në mekteb nuk mësojnë vetëm t’i shkruajnë dhe t’i lexojnë shkronjat, por mësojnë dhe aftësohen që, duke ecur nëpër dynja, me veprat e tyre dhe duke e jetuar fenë në të, të shkruajnë në këtë dynja dhe, njëkohësisht, ta mbushin librin e veprave të tyre me bindje ndaj Allahut dhe me vepra të mira.
Në mekteb, fëmijët tanë mësojnë se si në Tokë shkruhet sexhdeja.
Kur çdo gjë që ka krijuar Allahu i nënshtrohet Atij dhe e madhëron Atë, a të mos e bëj edhe unë këtë? A të mos e aftësoj fëmijën tim që të hyjë edhe vetë në korin e gjithçkaje që e madhëron Allahun?
Edhe Toka, kur të dalim para Zotit tonë, do t’i tregojë lajmet e saj. Ajo do të tregojë se ku dhe kur e ke vendosur ballin tënd mbi tokë në sexhde dhe, në këtë mënyrë, e ke bërë veten të njohur për të Dërguarin e Allahut ﷺ.
Në mekteb, fëmijët tanë mësojnë se si abdesi dhe gusli shkruhen mbi trup.
Abdesi e lë trupin më të pastër nga gjynahet dhe na sjell nur në fytyrë.
A nuk ka depërtuar deri në veshët dhe zemrat tona fjala e Allahut se, kur duam të komunikojmë me Të, kur duam ta kthejmë fytyrën nga Kibla, duhet ta lajmë fytyrën, duart dhe këmbët dhe ta fërkojmë kokën?
Kjo do të na mbrojë këtu nga shejtani dhe sulmet e tij, ndërsa në ahiret do të na sjellë në shoqërinë e Pejgamberit ﷺ.
Kush nuk do të dëshironte t’ia siguronte fëmijës së vet një mbrojtje të tillë këtu dhe t’ia bënte të mundur një shoqëri të tillë në ahiret?
Të gjithë ata që dëshirojnë, le ta dinë se nesër fillon mektebi. Fillon puna në klasat tona të mektebit, ku fëmijët tanë do të mësojnë se si në librin e veprave të tyre të shkruajnë vepra të mira dhe si të regjistrohen tek Allahu si robër të bindur ndaj Tij.
Në mekteb, fëmijët mësojnë të shkruajnë bindjen ndaj prindërve në librin e jetës dhe të veprave të tyre.
Me siguri, në bankat e mektebit do të dëgjojnë se Allahu i Lartësuar ka thënë se ata janë të obliguar ta adhurojnë Atë dhe t’u bëjnë mirë prindërve. Dhe, me siguri, do të dëgjojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë se rruga drejt kënaqësisë së Allahut është në kënaqësinë e prindërve dhe se Xheneti është nën këmbët e nënës.
Mos ngurro, o baba dhe o nënë!
Nëse dëshiron të mirën e përhershme dhe nëse dëshiron siguri në pleqëri, regjistroje dhe dërgoje fëmijën në mekteb, në atë institucion ku mësohet të shkruhet mirësia ndaj prindërve.
Në mekteb, fëmijët do të mësojnë se në medrese, në shkollën e tyre fillore dhe të mesme, duhet të mësojnë. Mektebi do t’i drejtojë që të mësojnë të shkruajnë, të mësojnë të llogarisin, t’i mësojnë drejtimet e botës dhe të mësojnë për të kaluarën tonë dhe atë botërore.
Mektebi do t’u mësojë se kërkimi i diturisë, i çdo diturie, është farz, obligim për çdo musliman.
Pyes veten: si është e mundur të jesh prind dhe të mos e dërgosh fëmijën në mekteb?
Është e sigurt se nuk ka prind që nuk do të dëshironte të mirën, më të mirën për fëmijën e vet. Ja, pra, mundësia që këtë të mirë t’ia japë fëmijës së tij përmes mektebit.
Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë se gjëja më e mirë që mund t’ia lësh fëmijës është edukimi.
Në mekteb, fëmijët do të mësojnë se si, duke ecur mbi Tokë, shkruhet ndershmëria, ndërsa ajo buron nga devotshmëria.
Do të mësojnë se si, duke ecur mbi Tokë, jetohet dhe shkruhet drejtësia, ndërsa ajo buron nga imani.
Në mekteb do të mësojnë si të jenë njerëz. Dhe sa madhështore tingëllon kjo fjalë: njerëz!
Nesër mektebet i hapin dyert e tyre dhe atje i presin mësuesit dhe mësueset tona të përkushtuar, për t’u derdhur në zemrat e tyre forcën që t’ua mundësojë të lënë në dynja një gjurmë të mirë, të gdhendur e të shkruar thellë nga jeta e tyre; që ta shkruajnë rrugën e tyre në dynja me besim dhe mirësi.
Ndërsa neve, edhe pasi të vdesim, për shkak të edukimit të tyre, në librin e veprave tona do të na regjistrohen vepra të mira.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që fëmijët tanë t’i nxjerrim në rrugën e drejtë dhe që ata të jenë më të mirë se ne. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















