Connect with us

Kosovë

Ndalohet në Bërnjak i dyshuari për rastin e vr’asjes së 23 shqiptarëve më 19 prill 1999 në Zubin Potok

Publikuar

Një person është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak lidhur me hetimet për ngjarjet e 19 prillit 1999 në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku u vranë 23 civilë shqiptarë.

Bëhet fjalë për 65-vjeçarin Momir Radenković, i cili ishte i evidentuar në listën e ndalimit nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Pas ndalimit në Bërnjak, Radenković është shoqëruar për intervistim në zyrat e hetuesisë.

Gjatë marrjes në pyetje ka ndodhur edhe kthesa në këtë proces hetimor.

Ndonëse fillimisht u intervistua në cilësinë e dëshmitarit, statusi i tij juridik ka ndryshuar gjatë procedurës, duke u shndërruar në të dyshuar për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Lidhur me këto zhvillime janë njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Me autorizimin e këtij të fundit, statusi procedural i Radenkovićit ka ndryshuar nga dëshmitar në të dyshuar, ndërsa ai është intervistuar nën dyshimin për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë, raporton Sinjali

NA NDIQ NË FACEBOOK