Lajme
Mustafa Dauti: Dogana drejt transformimit digjital, tranzit më i shpejtë dhe kufij inteligjentë

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar për transformimin digjital të administratës doganore, përmes implementimit të sistemeve të reja për tranzitin, menaxhimin e rrezikut, kontrollet dhe hetimet, si dhe projektit „Smart Borders“ (Kufijtë Inteligjentë).
Dauti, përmes një postimi, theksoi se teknologjia nuk shërben vetëm për modernizimin e punës, por edhe për ta bërë administratën doganore më të shpejtë, më efikase, më të sigurt dhe më të afërt me qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Ai bëri të ditur se me implementimin e Fazës së 6 të Sistemit të Ri të Kompjuterizuar për Tranzit, është bërë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave dhe harmonizimit me standardet e Bashkimit Evropian. Sistemi mundëson paraqitjen e një deklarate të vetme tranziti, së bashku me njoftimet e sigurisë, duke synuar lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e vonesave në pikat kufitare.
Një tjetër risi është Sistemi i Menaxhimit të Rrezikut, i cili përmes analizës së të dhënave ndihmon në identifikimin e rasteve me rrezik dhe mundëson kontrolle më efikase e të fokusuara.
Ndërkohë, Sistemi i Menaxhimit të Kontrolleve dhe Hetimeve synon digjitalizimin dhe integrimin e aktiviteteve të kontrollit, hetimeve dhe inteligjencës doganore, duke përmirësuar gjurmueshmërinë e rasteve dhe standardizimin e të dhënave.
Dauti veçoi edhe projektin „Smart Borders“, i cili parasheh automatizimin e terminaleve doganore përmes rampave dhe peshoreve digjitale, kamerave analitike dhe sistemeve për njohjen automatike të targave. Këto teknologji do të mundësojnë ndërlidhjen e të dhënave të automjeteve, peshimit, videombikëqyrjes dhe procedurave doganore, me qëllim të përshpejtimit dhe automatizimit të regjistrimit të importit, eksportit dhe tranzitit.
Sipas Dautit, këto zhvillime përbëjnë një transformim të rëndësishëm në funksionimin e Doganës, duke synuar krijimin e një administrate më moderne, transparente dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.












