Connect with us

Religjion

Muslimani mëson për të dyja botët

Publikuar

Njeriu vjen në këtë botë dhe nuk di asgjë, por, i pajisur me dëgjim, shikim dhe mendje, ai ka mundësi të mësojë. Për njeriun thuhet edhe se është qenie që mëson. Që nga ardhja e tij në këtë botë e deri në varr, njeriu mëson: mëson duke dëgjuar, duke parë dhe duke menduar. Shumë gjëra që njeriu i ka mësuar, madje as nuk e di se ku dhe kur i ka përvetësuar. Kur e mësove dallimin ndërmjet të thartës dhe të ëmblës, të djegëses dhe normales? Kur dhe ku e mësove fjalën e parë, kur i mbajte mend njerëzit e parë…?

Përveç kësaj, le ta quajmë të mësuarit spontan, ekziston edhe të mësuarit institucional dhe i organizuar. Ka filluar viti i ri shkollor dhe ky është një çast i përshtatshëm që të kujtojmë atë që i Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij u porosisin njerëzve lidhur me këtë çështje.

Të gjithë e dimë se fjalët e para të Shpalljes së fundit ishin: “Ikre’!” – “Lexo!”. Por, o vëllezër, kjo ishte një urdhër që ajo që mësohet të jetë në emër të Krijuesit të botëve, sepse dija pa besim nuk është edukim, e as arsimim. Madje, vetë fjala arsimim në thelb lidhet me fjalën arsye.

Sa njerëz të ditur, juristë, mjekë, inxhinierë, profesorë e të tjerë, që të mos i numërojmë të gjithë, nuk janë shembull me sjelljen e tyre për të rinjtë dhe nuk janë shembull për njerëzit që i rrethojnë? Fatkeqësisht, ka jo pak prej tyre që pinë alkool, luajnë bixhoz, nuk jetojnë në harmoni në martesat e tyre, dhe e gjithë kjo për shkak se nga jeta e tyre, nga përditshmëria e tyre, e kanë përjashtuar Allahun, dispozitat dhe normat e Tij.

Prandaj, në fillim të vitit të ri shkollor, përveçse t’ua kujtojmë obligimin për të mësuar, duhet të paralajmërojmë edhe për domosdoshmërinë e edukimit, përkatësisht të kuptimit të drejtë të fjalisë së parë që iu shpall të Dërguarit (savs): “Lexo, në emër të Zotit tënd, i Cili krijoi!”

Ne nuk mësojmë dhe nuk arsimohemi vetëm që të kemi një vend pune më të rehatshëm, një pagë më të mirë, një vend pune të sigurt apo të jemi në një vend pune të financuar nga buxheti i shtetit. Ne mësojmë dhe arsimohemi që me dijen tonë dhe me angazhimin tonë t’u shërbejmë njerëzve, bashkësisë dhe atdheut.

Njeriu i arsimuar, të cilit synimi i vetëm i tij është paga dhe një vend pune i rehatshëm e i sigurt, ka shpërblim të kësaj bote. Ndërsa njeriu i arsimuar dhe i edukuar ka dy shpërblime: shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin e botës tjetër. Dhe, për më tepër, të gjithë kemi një jetë të lumtur e të rregulluar dhe kemi një shoqëri me njerëz të kënaqur.

Prandaj, tani, kur fillon viti i ri shkollor, le të përpiqemi edhe një herë ta lexojmë hadithin e të Dërguarit të Allahut (avs), në të cilin thuhet:

“Kush e merr rrugën për të kërkuar dije, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet.”

Allahu i Lartësuar atij që mëson në emër të Allahut, atij që e dëshiron edhe dijen edhe edukimin, ia mundëson që, krahas hapave drejt bankës shkollore, të ecë edhe drejt kopshtit të Xhenetit.

Tani, kur fillon viti i ri shkollor, le të përpiqemi ta lexojmë përsëri dhe ta kuptojmë më plotësisht edhe hadithin e të Dërguarit (savs):

“Kush zgjohet herët dhe mëson një ajet nga Kurani, kjo është më e mirë për të sesa të falë njëqind rekate namaz nafile; ndërsa kush zgjohet herët dhe mëson një kapitull të ndonjë shkence, kjo është më e mirë për të sesa të falë një mijë rekate namaz nafile.”

Do të ishte e pabesueshme, do të tingëllonte joreale, që vetëm mësimi përmendësh i një ajeti, pa e zbatuar atë në jetë, të sillte shpërblimin sikur të kishim falur njëqind rekate namaz. Do të ishte e pabesueshme dhe do të tingëllonte joreale që vetëm të mësojmë një mësim për ndershmërinë, për mbrojtjen e mjedisit e të tjera, pa i zbatuar ato, dhe të kemi shpërblim sikur të kishim falur një mijë rekate namaz nafile.

Prandaj, është e rëndësishme të dimë dhe të jemi vazhdimisht të vetëdijshëm se Allahu i Lartësuar nuk thotë vetëm: “Mëso!”, nuk urdhëron vetëm: “Lexo!”, por qartë dhe pa mëdyshje thekson dhe urdhëron që ai mësim dhe ai lexim të jenë në emër të Tij. Kjo do të thotë se dija e fituar duhet të jetë në shërbim të së mirës, në shërbim të njerëzve, të bashkësisë dhe të atdheut.

Allahu i Lartësuar thotë se nuk janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë. Natyrisht, ata që dinë, që kanë mësuar dhe që mësojnë, janë në çdo aspekt më të mirë se ata që nuk dinë.

Por dijetarët dhe të diturit që përmenden në këtë ajet nuk janë ata që dinë se si prodhohet eksplozivi dhe me të vrasin njerëz të pafajshëm. Të diturit që përmenden në këtë ajet janë ata që dinë të prodhojnë eksploziv dhe ta përdorin dijen e tyre për t’ua lehtësuar jetën njerëzve, për të kontribuar në përparimin dhe zhvillimin e atdheut dhe të njerëzimit.

Të diturit që përmenden në këtë ajet nuk janë ata që dinë se si ndahet atomi dhe pastaj prodhojnë një bombë që vret njëqind mijë njerëz dhe shkakton shkatërrim të paimagjinueshëm. Përkundrazi, janë ata që, duke mësuar në emër të Allahut, përmes ndarjes së atomit prodhojnë energji që ua bën jetën njerëzve më të lehtë.

Prandaj, duhet theksuar gjithmonë përsëri se Allahu e ka urdhëruar dijen në emër të Tij. Kjo do të thotë se, nëse duam që dija të na çojë në Xhenet dhe që ecja jonë drejt bankës shkollore të jetë njëkohësisht edhe një hap drejt kopshtit të Xhenetit, ajo duhet të jetë në dobi të njerëzve dhe kurrsesi në dëm të mjedisit apo të njerëzve.

Njeriu është përshkruar si ai që pushtohet nga dëshira për këtë botë derisa të hyjë në varr. Ndërsa dëshira për këtë botë është edhe dëshirë për pushtet. Njeriu dëshiron të sundojë mbi gjithçka, madje edhe mbi natyrën dhe të mirat e saj, dhe e gjithë kjo me qëllim që ta kënaqë veten e tij të pangopur.

Ne, muslimanët, besimtarët, duke e pritur vitin e ri shkollor, shprehim gëzim sepse përsëri na hapet mundësia për ta jetuar urdhrin e Allahut: të mësojmë, të fitojmë dije të reja, të edukohemi dhe të jemi të vetëdijshëm se nuk do të gjykohemi për atë se çfarë diplome kemi marrë dhe në çfarë vendi pune kemi qenë.

Nuk do të shikohet pamja jonë dhe veshja jonë, as pagat tona, por do të shikohen zemrat dhe veprat tona.

Prandaj, le ta vendosim besimin në Allahun në zemrat tona dhe të mësojmë në emër të Tij, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë një vepër e mirë, me të cilën do të gëzohemi kur të takohemi me Zotin e botëve, sepse kemi mësuar me qëllim që të shërbejmë dhe që, në atë shërbim, ta gjejmë kënaqësinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Prandaj, le t’i dëgjojmë edhe një herë, le t’i lexojmë përsëri dhe le t’i kuptojmë edhe një herë më thellë fjalët e Allahut:

“Lexo, në emër të Zotit tënd, i Cili krijoi! E krijoi njeriun nga një gjak i ngjizur. Lexo, se Zoti yt është më bujari. Ai është që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El-Alak, 1–5)

O Allahu i Lartësuar, na dhuro dije të dobishme! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK