Maqedoni
Mickoski: Qytetarët maqedonas e dinë ku përkasin – NATO, SHBA dhe BE janë një orientim gjeopolitik

“Qytetarët maqedonas e dinë ku përkasin.” Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke folur për përcaktimet strategjike të Maqedonisë së Veriut.
Mickoski veçoi anëtarësimin në NATO, partneritetin strategjik me SHBA-në dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian si shtyllat kryesore të orientimit të politikës së jashtme të vendit.
“Këto nuk janë tri politika të ndara. Ato janë një orientim i vetëm gjeopolitik”, tha kryeministri.
Ai theksoi se ky orientim bazohet në demokraci, siguri kolektive, sundim të ligjit dhe ekonomi të hapur.
Sipas Mickoskit, në kushtet e pasigurisë globale, përgjigjja e vendit nuk duhet të jetë paqartësia strategjike, por qartësia.
Megjithatë, ai theksoi se përcaktimi i qartë ndaj aleatëve nuk nënkupton izolim nga shtetet me interesa dhe perspektiva të ndryshme politike.
“Bota nuk ka nevojë për një tjetër ndarje në blloqe të përhershme. Nevojitet konkurrencë me kufij dhe rregulla që të gjithë duhet t’i respektojnë”, deklaroi Mickoski.

















